“EL Clasico”: Bileta më e lirë 745 euro, më e shtrenjta 6.500 euro!

Derbi më i madh në futbollin spanjoll dhe evropian rikthehet të dielën në orën 16:15, dhe interesi për “El Clasico”-n midis Barcelonës dhe Real Madridit po thyen rekordet e të ardhurave. Sipas mediave spanjolle, bileta më e lirë nga të paktat e mbetura për ndeshjen në “Monzhuik” tani kushton deri në 745 euro. Për krahasim, në para-shitjen për anëtarët e klubit, të njëjtat bileta fillonin nga 209 euro.
Vendet më të shtrenjta – ato në kategorinë “VIP Premium” – arrijnë çmime deri në një shifër të pabesueshme prej 6,500 eurosh. Duke pasur parasysh turmën e mbushur plot e përplot dhe interesin e madh, Barcelona mund të presë një injeksion financiar prej dhjetëra milionë eurosh vetëm nga shitja e biletave.
Megjithatë, përpara se të kthejë vëmendjen te “El Clasico”, Barcelona së pari do të duhet të kapërcejë sfidën e quajtur Inter, të martën në orën 21:00, ndeshja e dytë e gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.