Fati i negociatave mes Shkupit dhe BE-së, kryefjalë në takimin Zaev-der Leyen

Pas paralajmërimit të Komisionit Evropian për mundësinë e fillimit të negociatave vetëm me Tiranën nëse Sofja nuk e tërheq veton për Shkupin, të hënën kreu i Qeverisë Zaev do ta takojë shefen e KE-së, Ursula von der Leyen. Ndërkohë Ministri i Jashtëm, Osmani nuk beson se paketa Shkup-Tiranë do të prishet, pasi sipas tij, vendi nuk meriton të mbetet pas Shqipërisë.

A do t’i fillojë Shqipëria negociatat apo jo, është çështja e Shqipërisë. Ne e parashtrojmë pyetjen a duhet ne t’i fillojmë negociatat, duke e pasur parasysh se i kemi përmbushur të gjitha kushtet, madje i kemi tejkaluar, si në aspekt politik, ekonomik dhe harmonizimit të legjislacionit me atë evropian”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani nga ana tjetër beson se me Qeverinë teknike bullgare do të arrihet një zgjidhje teknike që do t’i mundësojë vendit t’i nis negociatat këtë verë. Osmani madje u zotua se do ta zbatojë Planin aksionar, edhe nëse të njëjtën nuk arrijnë ta miratojnë me Qeverinë teknike bullgare.

Pres formimin e Qeverisë atje, që të tentojmë këtë plan ta formalizojmë në mbledhje ndër-qeveritare. Nëse nuk do të ketë mundësi që në kuadër të Qeverisë teknike, mendoj që ne do të vazhdojmë edhe me implementim të njëanshëm të obligimeve tona nga Plani aksionar”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Për njohësit e diplomacisë, paralajmërimet për zgjidhje të këtillë të kontestit dypalësh janë joreale. Ish ambasadori në Sofje, Marjan Gjorçev thotë për Alsat se nuk mund të pritet as miratimi i Planit aksionar.

Qeveria që do të emërohet nga Presidenti, Radev ka detyrë vetëm të organizojë zgjedhje korrekte në muajin korrik, nuk pres që të ketë hapësirë të merret me çështje siç janë marrëdhëniet shumë të ndjeshme mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Andaj vetëm një Qeveri politike stabile në Bullgari mund ta miratojë atë Plan Aksionar. E duke i pasur parasysh linjat e kuqe të Bullgarisë, shteti ynë ka problem serioz, pasi vështirë mund të arrihet gjuhë e përbashkët për dy çështjet kyçe të kontestit, historinë e përbashkët dhe pakicat”, tha Marjan Gjorçev, ish ambasador në Bullgari.

 

LEXO EDHE:

Back to top button