Fernandes: Çdo pikë vlen shumë në këtë moment të vështirë

Situata te Man. Junajted është delikate. “Djajtë e Kuq” arritën një barazim në fund kundër Evertonit në “Goodison Park”, duke rikuperuar dy gola disavantazh dhe mbyllur sfidën 2-2, falë golave të Bruno Fernandes dhe Ugarte në çerekun e fundit të lojës. Pas ndeshjes, mesfushori portugez, autori i golit të parë për Man. Junajted, foli në kanalet zyrtare të klubit.
“Kur je në dhomën e zhveshjes, në pushimin e pjesës së parë, pas një ndeshjeje si kjo, duhet të përqendrohesh vetëm te vetja dhe të përpiqesh të përmirësosh lojën tënde për të marrë diçka. Sigurisht, ishte shumë e vështirë për ne në pjesën e parë, sepse po përpiqeshim t’i bënim gjërat siç duhej, por nuk po funksiononte ashtu siç donim.
Mendoj se në pjesën e dytë, kur je në disavantazh 2-0, ke më shumë liri, sepse nuk ke çfarë të humbasësh më. Në situate të tilla ke më shumë mundësi për të bërë diçka ndryshe, për këtë arsye arritëm të barazonim.
Çdo pikë tani është thelbësore për ne, sepse jemi në një pozicion shumë të vështirë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se pozicioni në të cilin ndodhemi nuk është më i miri. Nuk jemi aty ku duhet të jetë ky klub. Duhet të kërkojmë më shumë nga vetja jonë,” tha mes tjerash Fernandes.