Finlanda do të aplikojë për në NATO

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Finlanda dëshiron të bëhet shtet anëtar i NATO-s dhe do të aplikojë për anëtarësim në Aleancë. Njoftimi nga presidenti finlandez dhe kryeministrja hap mundësinë e zgjerimit të aleancës ushtarake 30-anëtarëshe, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon, shkruan Alsat.

“Sot kemi një ditë historike. Finlanda do të maksimizojë sigurinë e saj. Dhe kjo nuk varet nga askush”, tha Sauli Niinisto, President i Finlandës

“Sot kemi marrë një vendim të rëndësishëm në bashkëpunim mes qeverisë dhe presidentit. Shpresojmë që parlamenti të konfirmojë vendimin për aplikim për anëtarësim në NATO gjatë ditëve në vijim”, tha  Sanna Marin, Kryeministre e Finlandës

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, dhe ka qenë shtet neutral, në aspektin ushtarak, për 75 vjet. Por, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, opinionin publik dhe politik ndryshoi në mënyrë dramatike, në favor të anëtarësimit. Rusia ka thënë se do të ishte gabim që Helskini t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore dhe kjo gjë do të dëmtonte raportet bilaterale.

Edhe shteti tjetër nordik, Suedia, pritet të bëjë njoftim të ngjashëm më 16 maj.
Në Suedi, e cila po ashtu ka qenë neutrale në aspektin ushtarak për më shumë se dy dekata, mbështetja për anëtarësim në NATO është rritur në mënyrë dramatike, apo rreth 50 për qind, ndërkaq 20 për qind e popullsisë janë shprehur kundër. Lëvizja e Finlandës dhe Suedisë u mirëprit nga NATO

“Nëse do të vendosnin të ishin pjesë e aleancës, do të ishte historike dhe do të tregonte se dera e NATO-s ishte e hapur dhe se ne mposhtëm agresorin”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu besimin se Suedia dhe Finlanda do t’i bashkohen NATO-s pasi këto dy shtete zyrtarisht të aplikojnë, pavarësisht se Turqia ka shprehur shqetësime për anëtarësimin e mundshëm të këtyre dy shteteve nordike.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fuqishëm aplikimin në NATO edhe të Suedisë dhe Finlandës, nëse këto dy shtete vendosin që zyrtarisht të aplikojnë për anëtarësim në aleancë”, tha  Antoni Bklinken, Sekretar amerikan i shtetit

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se shteti i saj dhe të tjerët e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm për të përshpejtuar procesin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Ndërkohë Turqia ka ngritur shqetësime për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake, duke pretenduar se ata mbështesin militantët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button