FNA: Transparenca e Universiteteve në nivel shumë të ulët
FNA: Transparenca e Universiteteve në nivel shumë të ulët
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) paralajmëron se universitetet publike në vend vazhdojnë të kenë një nivel shqetësues të mostransparencës. Sipas përfaqësuesit të Forumit, Blendi Hodai, transparenca është parakusht për menaxhim të mirë të institucioneve të arsimit të lartë dhe për cilësi në proceset akademike, veçanërisht kur bëhet fjalë për universitete që financohen nga buxheti i qytetarëve Hodai tha se në periudhën janar– gusht 2025, Forumi ka hartuar Indeksin e Transparencës për universitetet publike dhe publiko-private, duke i renditur ato në bazë të transparencës formale, qasjes në dokumentet që ligji për arsimin e lartë obligon të publikohen në faqet zyrtare. Hodai tha se rezultatet tregojnë për një mos-transparencë sistemike. Vetëm 2 nga 7 universitetet publike publikojnë informatorin universitar dokument ku pasqyrohen zyrtarisht vendimet e Rektoratit dhe Senatit. Ndërkohë, vetëm 3 nga 7 universitetet publikojnë buxhetin vjetor, megjithëse kjo është një detyrim ligjor.
“Përgëzojmë Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë që është ranguar në vendin e parë si universiteti më transparent. Më pas, vendin e dytë e bashkëndajnë Universiteti ”Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip. Në vendin e katërt është univrsiteti “Shën Apostoll Pali” në Ohër. Në vendin e pestë dhe të gjashtë si universitete pjesërisht transparente është universiteti “Shën Klimenti I Ohrit” në Manastir dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. Ndërkaq, si universitet I vetëm jo transparent, në vendin e shtatë është universiteti I Tetovës që gati se nuk publikon as raporte vjetore financiare as buxhet vjetor, as informatorin universitar, asnjë vendim që merret nga trupat universitarë. Nuk është vetëm një instrument matës por është një thirrje për reforma, një thirrje për krijimin e një kulture të transparencës, llogaridhënies dhe të cilësisë në arsim sepse pa transparencë nuk kemi cilësi në arsim, nëqoftëse kemi mostransparencë nënkupton që disa universitete fshehin diçka që nuk duan qytetarët ti shohin”, deklaroi Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim. /Alsat.mk








