Foda rikthehet të formacioni i preferuar, Kosova ka bilanc pozitiv me Qipron
Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me Qipron në ndeshjen e xhiros së dytë kualifikuese në Ligën e Kombeve. Pas humbjes nga Rumania 0-3, Franko Foda synon që ta rikthej Kosovën te fitorja. Mungesa e Aro Muriçit do të thotë se në portë pritet të jetë Visar Bekaj, derisa mbrojtja do të përbëhet nga Florent Haderjgonaj në krahun e djathtë, në mungesë të Mërgim Vojvodas të ndëshkuar me karton të kuq. Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova do ta formojnë dyshen e qendrës së mbrojtjes, derisa Leart Paqarada do të jetë në krahun e majtë.
Duke parë që sistemi 4-4-2 nuk funksionoi në ndeshjen e kaluar, Foda pritet të rikthehet në sistemin e tij të preferuar 4-2-3-1, ku Valon Berisha dhe Lindon Emërllahu do të jenë në mesfushë. Milot Rashica do të luaj në krahun e djathtë të sulmit, Elvis Rexhbecaj në pozitën 10 si dhe Ermal Krasniqi në krahun e majtë. Sa i përket sulmit, aty do të jetë Vedat Muriqi edhe pse sulmuesi i Majorka-s ka ushtruar i diferencuar dhe gjendja e tij është ende në dyshim.
Por kjo nuk do të jetë hera e parë që Kosova dhe Qipro do të takohen, pasi dy ekipet kombëtare kanë pasur edhe dy duele të tjera. Në fakt sfida e sotme që do të zhvillohet në “AEK Arena”, në orën 18:00, është e treta mes qipriotëve dhe “Dardanëve”.
Deri më tani Kosova ka bilanc fantastik përballë Qipros, pasi në dy sfidat ka triumfuar me rezultat të pastër. Ndeshja e parë u zhvillua pikërisht në “AEK Arena” më 2 qershor të vitit 2022, ku “Dardanët” fituan me rezultat të pastër 0-2 falë golave nga Valon Berisha dhe Edon Zhegrova. Florent Muslija, Donat Rrudhani, Elbasan Rashani dhe Vedat Muriqi dy herë në fund ishin autorët e golave për Kosovën në ndeshjen e dytë.