Fonseka: Derbi na ka motivuar më shumë, kemi ende për t’u përmirësuar

Milani nuk gaboi dhe pas “oreksit të hapur” nga fitorja në derbi, u konfirmua “top” edhe ndaj Leçe, para tifozëve të vet, duke i dhënë përgjigje pozitive Fonseka-s.

“Vazhdimi me fitore pas derbit ishte shumë i rëndësishëm. Fitorja ndaj Interit na dha besim, djemtë bënë një lojë serioze, patëm disa momente të mira në fazën sulmuese, madje arritëm të mos pësonim gol,”  komentoi në fund trajneri kuqezi.

Megjithatë, në gjysmë orën e parë, Milani luftoi për t’u bërë i rrezikshëm.

“Kjo skuadër duhet të mësojë t’i luajë këtë lloj ndeshjesh. Loja jonë pozicionale duhet të jetë e ndryshme. Ka situata të ndryshme në të cilat mund të bëjmë më mirë, në pritje të hapësirave dhe momentit të duhur. Ne jemi mësuar të luajmë kështu, duhet të përmirësohemi shumë kur përballemi me kundërshtarë më të mbyllur, që nuk na japin hapësirë,” vazhdoi Fonseka për DAZN.

Milani ndryshoi diçka edhe në nivelin mbrojtës, me kërkesa të ndryshme ndaj mbrojtësve të krahut, të cilët iu afruan mbrojtësve qendrorë.

 

“Në ndeshjet e para ishim shumë të ekspozuar, kishte shumë hapësirë ​​mes mbrojtësve tanë. Ndryshuam diçka duke kërkuar ndihmë nga mesfushorët, por edhe në këtë rast është çështje pune dhe përmirësimi. Në 30 metrat e para të fushës duhet të jemi më agresivë,” tha Fonseka.

 

Leao dhe Pulishiç ishin sërish protagonistë, me amerikanin që sërish shënon, si edhe ndaj Interit.

 

“Në këtë mënyrë, Kristian është më i përfshirë në lojën tonë. Në periudha të ndryshme mund të luajë më në qendër ose më gjerë. Duke luajtur më në qendër ai është më afër zonave të nxehta, prej nga vijnë golat, asistimet dhe vendimet e rëndësishme”, tha në fund Fonseka.

LEXO EDHE:

Back to top button