Futbolli në ligat evropiane, rikthehet më herët se viteve të tjera

Edicioni futbollistik 2022-2023 do të nisë më shpejt seç jemi mësuar, kjo për shkak të fazës finale të Kupës së Botës, që për herë të parë në histori do të luhet në fundvit, më saktë në periudhën nëntor-dhjetor. Kjo ndikon drejtpërdrejtë edhe në nisjen dhe zhvillimin e kampionateve, pasi do të kenë pak kohë në dispozicion për të rekuperuar energjitë, pasi rikthimi në fushën blertë do të jetë i shpejtë.

Kështu, Premier Liga do të nis sezonin e ri më 6 gusht dhe do të mbyllet më 28 maj 2023. Ashtu si në “ishull” edhe në Francë, sezoni i ri do të fillojë më 6 gusht dhe është parashikuar të mbyllet më 3 qershor 2023.

Kampionati spanjoll, La Liga do të nis më 12 gusht, ndërsa nuk ka një datë fikse për mbylljen e sezonit të rregullt. Risi për futbollin gjerman, pasi Bundesliga do të “ndez” motorët më 5 gusht dhe do të përfundojë më 27 maj 2023.

Në Itali, Serie A do të nis më 13 gusht, ndërsa kampionati holandez është ende në pritje të një date fikse se kur do të filloi sezoni i ri, por ashtu si pjesa më e madhe e kampionateve elitarë, edhe në Eredivisie të Holandës, pritet të fillojë brenda datës 12 gusht.

E përbashkëta e të gjithë kampionateve është ndërprerja e tyre në fundjavën e dytë të nëntorit, më datën 13, për t’u bërë gati më pas për emocionet e Kupës së Botës, “Katar 2022” që  nis më 21 nëntor dhe do të mbyllet më 18 dhjetor 2022.

LEXO EDHE:

Back to top button