“Futbollistët e ekzagjerojnë sepse fitojnë shumë para, më pas ankohen pse luajnë shpesh”

Ish-CEO i Bajern Munih dhe presidenti i ECA-s, në një intervistë për “Corriere della Sera” ka analizuar sfidën mes Interit dhe Bajernit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, por mbi të gjitha ka folur për problemet e futbollit modern. Sipas tij, futbollistët janë futur vetë në kurth duke kërkuar paga gjithnjë e më të larta.
“Paratë që kërkojnë lojtarët duhen fituar në një mënyrë apo në një tjetër nga klubet dhe kjo bëhet duke luajtur më shumë ndeshje, sepse kështu e kërkon tregu televiziv. Nëse çdo vit lojtarët kërkojnë më shumë, agjentët duan para edhe për thjesht disa biseda, cili klub mund të fitojë ende para?”
Zgjidhja?
Rummenigge është i qartë: “Çelësi është ‘salary cap’, vendosja e një kufiri për pagat”.
Madje, ai ka zbuluar se ka folur për këtë ide me presidentin e FIFA-s, Xhiani Infantino.
“Infantino është i gatshëm ta hapë këtë diskutim. Edhe ai e kupton që është e rëndësishme që të gjithë të jenë të përfshirë. Nëse askush nuk heq këmbën nga gazi, futbolli do të përplaset drejt e në mur,” tha mes tjerash Rumenige.