Gabime të shumta në librin shkollor Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë

Gabime të shumta në librin shkollor Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë

Gazetare: Evi Shkopi

Në lindje Maqedonia e Veriut kufizohet me Shqipërinë. Është ky një nga gabimet në librin Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë, që në sistemin arsimor u përfshi që nga viti i kaluar në kuadër të konceptit të ri. Në po të njëjtin tekst ka dhe gabime të tjera. Profesorët një situatë të tillë e vlerësojnë si skandaloze.

“Ajo që po ndodh tani edhe me librat e rinj, është një ndyrësi, maskarallëk i llojit të vet. Përfundimisht këtu shohim një mos përgjegjësi, një mungesë serioziteti tek të gjithë ata që duhet të japin llogari deri në prodhimin final të të gjithë asaj. Pasi bëhet fjalë për libër, tekst shkollor, i cili duhet t’u shërbejë me gjeneratat të tera brezave të rinj. Është e papranueshme dhe jam kundër çdo gabimi, sado që të jetë i vogël. Do të thosha lirisht qoftë pikë apo presje. U morën hapa që të gjitha këto gabime të përmirësohen dhe tani t’i shohim që ndodhin përsëri, vërtet është e papranueshme. Urgjentisht do të kërkoj që këto tekste të kthehen mbrapsht”, deklaroi Naser Miftari- profesor.

Profesori Avzi Mustafa thotë se për gabimet e tilla duhet të kërkohet përgjegjësi.

“Ne po hasim keq e më keq me gabime përmbajtjesore, të cilat për mua janë një margaritar i marrëzive shkencore. Kjo që po ndodh me këto që janë gabime shkencore janë të pa tolerueshme dhe gjithsesi duhet të kërkohet përgjegjësi nga autorët dhe nga botuesit. Kjo ndodh me vite, sepse nuk ka një koordinim mes institucioneve përgjegjëse duke filluar nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, nëpërmjet dikasterit të Ministrisë, Këshillit Pedagogjik”, tha Avzi Mustafa- profesor,

Nga Ministria e Arsimit thonë se seria e gabimeve dhe palogjikshmërive nuk është dashur të lejohet, prandaj duhet të përcaktohen arsyet e lëshimeve. Madje MASH qorton autorët dhe recenzentët.

“Përmes Komisionit Kombëtar të Teksteve si organi më i lartë në procesin e miratimit të teksteve, Ministria e Arsimit tashmë ka kërkuar informacion për punën e të gjitha palëve të interesuara në procedurën e miratimit të tekstit konkret dhe pas marrjes së raportit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës do të bëjë një propozim specifik për veprime të mëtejshme. U bëjmë thirrje të gjithë autorëve dhe recensentëve që në të ardhmen do të marrin pjesë në procedurat e prodhimit të teksteve, si dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe anëtarëve të Komisionit Kombëtar të Teksteve, të ngrenë përgjegjësinë e tyre personale dhe përkushtimin, sepse në këto procese mjaft komplekse, kjo është e vetmja gjë që pritet prej tyre”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit.

Në komunikatë nuk përmendet nëse tekstet me gabime të shumta do të tërhiqen nga përdorimi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button