Garat në matematikë, testet vetëm në maqedonisht

Garat në matematikë, testet vetëm në maqedonisht

Gazetar: Adnan Qaili

Dhjetëra nxënës, prindër dhe arsimtarë u mblodhën para objektit të Shkollës fillore “Kliment Ohridski” në Butel të Shkupit. Megjithëse 80 nxënës shqiptar nga klasa e pestë deri të nëntën ishin përgatitur për garat komunale në lëndën e matematikës, atyre testet u dhanë vetëm në gjuhën maqedonase, gjë e cila ka revoltuar mësimdhënësit nga tri shkollat e kryeqytetit që merrnin pjesë në këtë garë. Ata thane se nxënësve shqiptar ju mohua e drejta themelore për testim në gjuhën amtare dhe e bojkotuan garën.

“Presim qe një orë e gjysmë dhe nuk bënë zgjidhje, ne morëm vendim që komplet tri shkollat shqipe në Komunën e Butelit që testin sot ta bojkotojmë sepse nuk ka ekzemplarë në gjuhën shqipe. I tërhoqëm nxënësit, këtu janë edhe prindërit që na përkrahin që tja bëjmë me dije organizatorit se këtu ka një përqindje të madhe të shqiptarëve në tri shkolla të Butelit dhe të bëhet organizimi si duhet”, tha Salaudin Hamidi, Arsimtar.

Arsimtarët e matematikës thonë se për këtë test nxënësit kanë paguar nga 300-500 denarë dhe tani në mënyrë të padrejtë janë diskriminuar për të shprehur dituritë e tyre në konkurrencë me moshatarët.

“Testi është i organizuar nga Lidhja e matematicientëve të Maqedonisë në nivel republikan, edhe gjatë ushtrimit të detyrave që i kanë postuar në ueb faqen e tyre, jemi detyruar që ti marrim të përkthejmë detyrat nga maqedonisht në shqip pasi që nxënësit kanë hasur në shumë probleme terminologjike”, shtoi Nurtene Rama, Arsmitare.

Prindërit janë edhe më të revoltuar nga që akoma ekzistojnë individ të tillë që nxisin urrejtje ndër etnike ndërmjet nxënësve të shkollave fillore në Shkup, në një nga komunat më të ndjeshme, siç është Buteli.

“Jam shumë e dëshpëruar sepse flitet gjithmonë se ka dygjuhësi por unë nuk po e shoh asnjëherë, as në dokumente të shkollës, të cilët shpesh i kam refuzuar sepse nuk e kuptoj gjuhën maqedonase dhe më takon ti kemi në gjuhën amtare. Por, pse vjen puna edhe në gara të bëhet ky diskriminim është turp”, u shpreh Haxhere Hasa, Prind.

Nga drejtoria e Shkollës “Kliment Ohridski” distancohen nga kjo mosmarrëveshje pasi që shkolla tyre ka shërbyer vetëm si objekt i mbajtjes së testimit dhe testet e dërguara ka qenë vetëm maqedonisht. Nga Lidhja e matematikanëve të Maqedonisë, të cilët organizojnë garën, përmes telefonit na thanë se pako të testeve që kanë dërguar në këtë shkollë nuk ka pasur edhe në shqip për shkak të sic thonë problemit me transportin dhe se më vonë i kanë dërguar me e-mail. Por arsimtarët theksojnë se në problem të njëjtë kanë hasur edhe vitin e kaluar po në të njëjtën shkollë. Kujtojmë që ky testim bëhet në kuadër të plan programit shkollor që u takon me ligj përkatës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button