Gasperini: Ne duam të flasim në fushë, të lëmë përshtypje

Të mërkurën, Atalanta pret Real Madridin në ndeshjen e parë të 1/8 finale. Xhianpiero Gasperini, gjatë konferencës tradicionale për shtyp, shpalosi besimin e tij në prag të sfidës me gjigantët madrilenë.

 

“Reali është skuadra më e suksesshme në botë, ka më shumë të ardhura dhe yje. Për Atalantën është krenari të takohet me një klub të tillë. Ne nuk e kemi pas zakon të luanim kësi ndeshjesh, por vitet e fundit ka ndryshuar trendi. Kemi luajtur kundër disa ekipeve të famshme. Për ne mbetet një ngjarje e madhe, kemi disa stimuj më shumë. Ne duam të arrijmë me shanse kualifikimi në Madrid. Ndeshja e nesërme nuk është asgjë më shumë se gjysma e punës. Në kthim do të mendojmë për kualifikimin eventual”.

 

Real Madridi, gjithashtu arrin në Bergamo me disa mungesa, ndër të tjera Sergio Ramos dhe Benzema.

 

“Ata e kanë bërë zakon të luajnë në këtë garë, janë shumë të rrezikshëm edhe pa disa lojtarë. Kushdo që hidhet në fushë nga Reali duhet konsideruar me meritë titullar. Ne duam të flasim në fushë, të bëjmë përshtypje sa më të mirë”.

 

Nga ana tjetër, Atalanta, siç pranoi Gasperini, po kalon një moment të shkëlqyeshëm.

 

“Ne jemi në një periudhë të rëndësishme të sezonit, gjithashtu kemi arritur në finalen e Kupës së Italisë. Kemi qëllime të rëndësishme deri në fund të sezonit. E vetmja keqardhje e vërtetë e madhe është mungesa e publikut. Shpresonim të shkonim me tifozët në stadium në këtë pikë të sezonit, por nuk ndodhi kështu”.

LEXO EDHE:

Back to top button