Gërkovska: Është i domosdoshëm ndryshimi i ligjeve për Këshillin Gjyqësor

Gërkovska: Është i domosdoshëm ndryshimi i ligjeve për Këshillin Gjyqësor

Gazetare: Evi Shkopi

Situata e krijuara në Këshillin Gjyqësor kanë bërë që zv.kryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë ta shoh të nevojshme që të kërkojë ligje të reja për Këshillin Gjyqësor, për Prokurorët Publik dhe për Akademinë për Gjyqtarë. Në një takim me gazetarët, ajo e vlerësoi si shqetësuese gjendjen në sistemin e drejtësisë. Gërkovska tha se rishikimi i asaj që është bërë vitin e kaluar tregon se janë hapur 15 raste për shkelje të Kodit të Etikës për zyrtarët dhe se në katër raste janë dhënë vërejtje publike për Bujar Osmanin, Artan Grubin, Nikolla Tupançevski dhe Hisen Xhemaili. Gërkovska rekomandoi që të gjithë ministrat dhe institucionet të kenë person përgjegjës për zbatimin e Kodit të Etikës. Në pyetjet e gazetarëve, nëse këto vërejtje kanë dhënë apo jo rezultat, ajo tha se jemi në drejtim të duhur, pasi sipas saj ky është një proces, për të cilin shpreson se do të ndikojë në rritjen e vetëdijes së zyrtarëve në vendin tonë në nivel me atë të shteteve më të zhvilluara demokratike. Megjithatë, shtoi se për këtë do të nevojitet kohë.
Sipas saj ende po punohet për ndryshimet në Kodin e Sjelljes Etike të Zyrtarëve. Zbatimi i tij është i detyrueshëm për zyrtarët në pushtetin ekzekutiv, ndërsa deputetët dhe kryetarët e komunave mund ta zbatojnë të njëjtin vetëm sipas vullnetit të lirë. Gjatë takimit me gazetarët, Gërkovska foli edhe për Ligjin për Prejardhjen e Pronës, mirëpo nuk përmendi afat se kur mund të miratohet. Pasi të miratohet Ligji, do të mundësojë që në të ardhmen të shqyrtohet dhe të konfiskohet pasuria e dyshimtë e dikujt nëse pronari nuk mund të dëshmojë se si e ka fituar atë. Ligji në fjalë, siç tha ajo, është në fazën e diskutimit publik. Ajo tha se në kuadër të hapave në luftën kundër korrupsionit, GRECO ka rekomanduar gjithashtu që të thjeshtësohen rregullat ekzistuese për pranimin e dhuratave nga zyrtarët, në një zgjidhje. Pasi për momentin kjo çështje rregullohet me dy ligje. Ndërsa gjithashtu nuk është përcaktuar qëllimi i saktë (prej kujt duhet të zbatohen), kufiri i lejuar i vlerës së dhuratave, kujt duhet t’i raportohen dhe si duhet të regjistrohen. Sipas Gërkovskës, thjeshtimet janë bërë dhe pritet të miratohen në të ardhmen e afërt. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button