​Gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara u sekuestruan në shtëpinë e Bidenit

​Gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara u sekuestruan në shtëpinë e Bidenit

Hetuesit e Departamentit Amerikan të Drejtësisë kanë gjetur gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara gjatë një kontrolli 13 orësh në shtëpinë e presidentit Joe Biden në Delaware.

Sipas BBC, disa dokumente të sekuestruara në pronën e Wilmington të premten ishin nga koha e tij si senator dhe të tjera nga qëndrimi i tij si zëvendëspresident nën Barack Obama.

Avokati i Biden, Bob Bauer tha se “shënimet e shkruara personalisht me dorë” dhe “materialet përreth” u morën gjithashtu. Gjatë kontrollit presidenti Biden dhe gruaja e tij nuk ishin të pranishëm.

Presidenti ofroi qasje në shtëpinë e tij për të lejuar Departamentin e Drejtësisë të kryejë një kontroll në të gjithë ambientet për të dhënat e mundshme të zëvendëspresidentëve dhe materialet e mundshme të klasifikuara“, tha avokati Bauer.

Në fillim të këtij muaji, avokatët e presidentit Biden thanë se grupi i parë i dokumenteve të klasifikuara ishte gjetur më 2 nëntor në Qendrën “Penn Biden”, një institut kërkimor që presidenti themeloi në Uashington DC.

Një grup i dytë i dokumenteve u gjet më 20 dhjetor në garazhin në shtëpinë e tij në Wilmington, ndërsa një dokument tjetër u gjet po në shtëpinë e tij më 12 janar.

Pas gjetjes së dokumenteve, presidenti tha se ekipi i tij ia dorëzoi menjëherë Arkivit Kombëtar dhe Departamentit të Drejtësisë. Nuk është e qartë pse Biden i kishte mbajtur ato.

Sipas Aktit të Regjistrimeve Presidenciale, të dhënat e Shtëpisë së Bardhë supozohet të shkojnë në Arkivin Kombëtar sapo të përfundojë një administratë, ku ato mund të ruhen në mënyrë të sigurt.

Një këshilltar i posaçëm, Robert Hur, është caktuar për të udhëhequr hetimin se si janë trajtuar dokumentet e klasifikuara./kosovapress/

 

LEXO EDHE:

Back to top button