Gjashtë persona kanë humbur jetën pas sulmeve ruse në Ukrainë

Gjashtë persona kanë humbur jetën pas sulmeve ruse në Ukrainë

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Gjashtë persona u vranë pasi Rusia bombardoi një ndërtesë në qytetin Toreck, në lindje të Ukrainës. Në njoftimin e Shërbimit shtetëror për Situata Emergjente të Ukrainës thuhet se një ndërtesë dykatëshe, me njerëz brenda, u shkatërrua. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë pesë njerëzve të vdekur. Tre persona u shpëtuan nga rrënojat dhe një prej tyre vdiq në spital. Toreck, një qytet me popullsi prej 30.000 banorësh, gjendet rreth 50 kilometra në jug të Kramatorskut, një prej qyteteve të fundit që kontrollohet nga Ukraina në lindje të vendit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se ka shkarkuar prokuroren e Përgjithshme Iryna Venediktova dhe kreun e Shërbimit të Sigurisë së shtetit Ivan Bakanov. Këto shkarkime vijnë pas raportimeve se dhjetëra persona nga shërbimet e sigurisë tani po punojnë kundër interesave të Ukrainës në territoret e pushtuara nga Rusia.

“Deri më sot, 651 procedime kriminale janë regjistruar sa i përket tradhtisë dhe aktiviteteve kolaboracioniste të punonjësve të Zyrës së Prokurorit, organeve të hetuesisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Në veçanti mbi 60 punonjës së Zyrës së Prokurorit dhe SBU-së gjenden në territoret e pushtuara dhe tani po punojnë kundër shtetit tonë”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Detyrat e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm i janë dorëzuar Oleksiy Symonenko, i cili deri më tani ka qenë zëvendësprokuror i Përgjithshëm. Bakanov, një mik dhe ish-partner biznesi i Zelenskyt, ka udhëhequr me SBU-në që prej gushtit të vitit 2019, ndërkaq Venediktova ishte bërë prokurore e Përgjithshme në mars të vitit 2020. As Zelensky, por as në dekretet e nënshkruara, nuk tregohet se kush do të marrë udhëheqjen e SBU-së.

Rusia po përdor kontraktorin privat ushtarak, Wagner, për të forcuar ushtrinë e saj në pushtimin e Ukrainës, tha inteligjenca ushtarake britanike. Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se Wagner po ul standardet e rekrutimit dhe po punëson të dënuar dhe persona që janë në listë të zezë. Kjo, sipas Britanisë, potencialisht mund të ndikojë në efektivitetin e ushtrisë ruse. Wagner besohet se kontrollohet nga Yevgeny Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë arritur një marrëveshje politike duke miratuar një tjetër paketë prej 500 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, që e çon totalin në 2.5 miliardë euro./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button