Gjendja e autobusëve, shqetësim për qytetarët
Gjendja e autobusëve, shqetësim për qytetarët
Gazetar: Avni Tahiri
Gjendja e autobusëve të NQP-së vazhdon të shqetësojë qytetaret të cilët detyrohen të shfrytëzojnë transportin publik të Shkupit. Ankohen se nuk arrijnë në kohë në vendet e tyre të punës dhe nxënësit nuk arrijnë në shkollë atëherë kur duhet.
“Autobusë nuk ka aspak, çdo ditë vonohem në punë dhe kudo që shkoj vonohem”, tha një qytetar.
“Nuk është rregulluar, do të duhej të rregullohet….
A udhëtoni çdo ditë?
Jo, por ja kur të dal do të pres, nuk është siç ishte para 2-3 viteve”, shtoi një tjetër qytetar.
“Për ne autobusët janë shumë katastrofë…. ”, tha një qytetar.
“Pothuajse gjysmë ore nuk është autobusi, presim, nuk e di çfarë shteti kemi, pa asnjë kusht. Presim për në punë, mezi vijnë, siç e shihni asnjë autobus nuk është, shikoni sa njerëz presin”, theksoi një tjetër qytetar.
Ndër ankesat më të shpeshta nga qytetarët janë ato që edhe pse e dinë se nuk ka autobusë të rregullt përsëri janë të detyruar të presin si shkak i mungesës së mënyrave tjera të transportit. Sipas tyre, ka situata kur autobusët e linjave urbane të NQP-së mbeten edhe pa karburant gjatë linjave dhe në këto situata detyrohen të presin akoma më shumë.
Statistikat jo zyrtare thonë se vetëm brenda një dite mbi 10 autobusë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik në Shkup kanë ndërprerë qarkullimin për shkak se kanë mbetur pa karburante në rrugë. Defektit bëri që të përplaset autobusi me numër 2 në afërsi të qendrës tregtare Mavrovasja, ku mbeten të lënduar edhe shoferi por edhe dy pasagjerë. Më pas, shoferi i autobusit publikisht u ankua se janë të detyruar të vozisin autobusë të prishur.
Defektet nuk janë e vetmja arsye pse autobusët nuk janë të rregullt. Pas aksidentit që ndodhi me autobusin e linjës 81 të Bllacës, banorëve u është thënë që për këtë linjë nuk ka shofer që të kryeje shërbimin e tyre ndërsa nxënësit e Bllacës çdo ditë detyrohen të dalin në qendër të fshatit për të gjetur mënyrën e tyre të transportit. Bllaca nuk është i vetmi fshat me problemin e transportit publik, në fshatin Matkë dhe disa fshatra tjerë, që nga viti i kaluar ankesat vinë thuajse çdo ditë nga qytetarët për mungesën e linjave të pa rregullta të transportit publik.
E për t’ua vështirësuar edhe më shumë gjendjen qytetarëve, transportuesit privat përsëri u rikthyen me linjë të reduktuara për shkak të pagesës së ulët për kilometër e që sipas tyre, me pagesat aktuale për kilometër nuk mund të mbulojnë as shpenzimet për mirëmbajtje.
Kaosi i vërtetë me transportin publik në Shkup veç më ka filluar ndërsa nga dita e hënë qytetarët duhet të kërkojnë alternativa tjera në vend të transportit publik në Shkup./Alsat.mk