Gjetja e gropave në Gjermani zbulon se si Neandertalët gjuanin elefantë të mëdhenj

Gjetja e gropave në Gjermani zbulon se si Neandertalët gjuanin elefantë të mëdhenj

Sipas një studimi të ri, Neandertalët mund të kenë jetuar në grupe më të mëdha sesa besohej më parë, duke gjuajtur elefantë masivë që ishin deri në tre herë më të mëdhenj se ata të sotëm.

Studiuesit arritën në përfundimet e tyre, të botuara në revistën Science Advances të mërkurën, bazuar në ekzaminimet e mbetjeve skeletore 125,000-vjeçare të elefantëve, të gjetura pranë Halle në Gjermaninë qendrore.

Kockat e rreth 70 elefantëve nga epoka e Pleistocenit u zbuluan në vitet 1980 në një gurore të madhe qymyri që që atëherë është shndërruar në një liqen artificial.

Elefantët e asaj kohe ishin shumë më të mëdhenj se mamuthi i leshtë dhe tre herë më i madh se elefanti i sotëm aziatik: një mashkull i rritur mund të peshonte deri në 13 ton.

“Gjuetia e këtyre kafshëve gjigante dhe therja plotësisht e tyre ishte pjesë e aktiviteteve të jetesës së Neandertalit në këtë vend,” tha për AFP Wil Roebroeks, një bashkëautor i studimit.
“Kjo përbën dëshminë e parë të qartë të gjuetisë së elefantëve në evolucionin njerëzor,” tha Roebroeks, një profesor i arkeologjisë në Universitetin Leiden në Holandë.

Studimi sugjeron se Neandertalët që jetuan në zonë për 2000 deri në 4000 vjet ishin më pak të lëvizshëm dhe formuan njësi sociale “thelbësisht më të mëdha se sa parashikohej zakonisht”.

“Neandertalët nuk ishin skllevër të thjeshtë të natyrës”, tha Roebroeks.

“Ata në fakt po i jepnin formë mjedisit të tyre, me zjarr… dhe gjithashtu duke pasur një ndikim të madh në kafshët më të mëdha që ishin në botë në atë kohë.”

Studiuesit përcaktuan se elefantët ishin gjuajtur – për shkak të profilit të moshës dhe gjinisë së mbetjeve të gjetura në gurore.

Shumica e tyre ishin meshkuj dhe kishte pak të rinj apo të moshuar.

“Është një përzgjedhje tipike e bërë nga gjuetarët që shkuan për gjahun më të madh,” tha Roebroeks.

Elefantët meshkuj të rritur do të kishin qenë më të lehtë për t’u gjuajtur sesa femrat, të cilat priren të lëvizin në tufa duke mbrojtur të vegjlit e tyre. “Ndërsa meshkujt e rritur janë kafshë të vetmuara shumicën e kohës,” tha Roebroeks. “Kështu që ato janë më të lehta për t’u palëvizur, duke i futur në kurthe balte dhe gropa.

Studiuesit thanë se Neandertalët ishin në gjendje të ruanin sasitë e mëdha të ushqimit të ofruara nga një elefant i vetëm dhe kjo do t’i mbante ata për muaj të tërë.

“Një elefant mashkull mesatar prej rreth 10 tonësh do të kishte dhënë diçka si, minimalisht, 2500 porcione ditore për një Neandertal të rritur”, tha Roebroeks.

“Ata mund të merren me të, ose duke e ruajtur për periudha më të gjata kohore – kjo tashmë është diçka që ne nuk e dinim – ose thjesht nga fakti se ata jetonin në grupe shumë, shumë më të mëdha nga sa supozojmë zakonisht.”

Studiuesit thanë se Neandertalët i therën kafshët me mjete stralli, të cilat lanë gjurmë të qarta në kockat e ruajtura mirë.

“Ato janë shenja të prerjes klasike që krijohen nga prerja dhe gërvishtja e mishit nga kockat,” tha Roebroeks.

Gjurmët e zjarrit të qymyrit të përdorur nga Neandertalët u gjetën gjithashtu, duke sugjeruar se ata mund të kenë tharë mishin duke e varur në rafte dhe duke ndezur një zjarr poshtë.

Roebroeks tha se ndërsa studimi ofron prova se Neandertalët jetonin në njësi të mëdha shoqërore, është e vështirë të vlerësohet saktësisht se sa të mëdha ishin ato grupe.

“Por nëse keni një elefant 10 tonësh dhe dëshironi ta përpunoni atë kafshë përpara se të kalbet, ju duhen rreth 20 njerëz për ta përfunduar atë brenda një jave,” tha ai./theguardian

LEXO EDHE:

Back to top button