Gjykimi i rastit të lehonës nga Dibra: Për shkak të mjekëve jam gjysmë njeri

Gjykimi i rastit të lehonës nga Dibra: Për shkak të mjekëve jam gjysmë njeri

Gazetar: Miki Trajkovski

Lehona nga Dibra, Jëlldëz Veaposka, të cilës në vitin 2020 gjatë lindjes me prerje cezariane në spitalin e Strugës, mjekët i hoqën mitrën, vezoren dhe veshkën, sot i bëri thirrje ministrit të ri të Shëndetësisë, Fatmir Mexhitit, të interesohet për rastin e saj. Mjekët tashmë janë akuzuar për veprime të rënda kundër shëndetit të njeriut. Sot u mbajt seanca e re gjyqësore.

„Kjo nuk është shaka, kjo është heqje organesh, dhe unë thjeshtë jam gjysmë njeri, invalid, për shkak të këtyre mjekëve që sot ishin në këtë gjykatë”, tha Jëlldëz Veaposka, e dëmtuar.

Në seancën e sotme u dëgjua një dëshmitar, përkatësisht një infermiere e repartit të Gjinekologjisë. Sipas dëshmisë së saj, megjithëse Jëlldëzi është dashur të shkojë në shtëpi, ajo papritmas është ankuar për dhimbje dhe i është dhënë terapia e duhur.

“Edhe pse iu dha terapia e duhur, dhimbjet po rriteshin gjithnjë e më shumë. E thirra mjekun kujdestar Liljana, e cila Jëlldëzit i tha se ajo nuk mund të shkojë në shtëpi në këtë gjendje”, u shpreh Sarita Peshinoska, Infermiere, dëshmitare.

Kur gjendja e saj u përkeqësua, mjekja Liljana Jovanoska kërkoi anesteziologun dhe mjekun, Muhamed Asani, dhe hynë në sallë. Avokatët e mjekëve të akuzuar sot nuk deshën të japin deklarata. Ata tashmë kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

“Më datë 21, do të vijnë ekspertët e mjekësisë-ligjore. Unë besoj se këtu do të sqarohen të gjitha dilemat për atë që ndodhi gjatë operacionit dhe shumë gjëra do të bëhen më të qarta ”, theksoi Sasho Janev – avokat i Jëlldëz Veaposkës.

Procesi gjyqësor vazhdon prej një viti. Seanca tjetër është caktuar për në 21 qershor, ndërsa më pas janë pushimet verore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button