Greg Popoviç, trajneri me më shumë fitore në NBA

Njëri nga trajnerët legjendar të të gjitha kohëve, Greg Popoviç, ka hyrë në historinë e NBA-së si strategu me më shumë fitore në ligën më të fortë në botë, pasi San Antonio Spurs, mposhti Jua Xhazin me rezultat 104-102. Për trajnerit e San Antonios, kjo ishte fitorja e 1,336 në karrierën e tij në NBA, duke kaluar mentorin e tij, Don Nelson, i cili tani ka një fitore më pak.

“Ky nuk është vetëm suksesi im, ky është suksesi i të gjithë njerëzve që kanë punuar ndonjëherë me mua. Basketbolli është një sport ekipor. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë i rrethuar nga lojtarë të mrekullueshëm dhe trajnerë të tjerë, me të cilët së bashku kishim mbështetjen e këtij qyteti të mrekullueshëm. Tifozët na mbështetën dhe kjo është arsyeja pse ne të gjithë ndajmë rekordin. Ai nuk është i imi, është i yni”, tha Popoviç.

Popoviçi si trajner ka më shumë fitore se disa skuadra në NBA si: Orlando (1230), Minesota (1041) dhe Toronto (1018). Të gjitha fitoret i ka shënuar në stolin e San Antonios, ku është trajner që nga viti 1996. Gjatë kësaj periudhe arkëtoi edhe 5 tituj në NBA, ndërsa si trajner i SHBA-së, fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio, vitin e kaluar.

Nga trajnerët aktual në NBA, më i afër me rekordin e tij është Dok Rivers, trajneri i Filadelfia-s, i cili ka 1032 fitore, por që mban pozitën e 10-të në renditjen e përgjithshme të trajnerëve.

LEXO EDHE:

Back to top button