Greqia, zgjedhjet parlamentare në 21 Maj
Greqia, zgjedhjet parlamentare në 21 Maj

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar mesditën e së shtunës Presidentes së Republikës shpërndarjen e parakohshme të Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në datën 21 maj.
Në këtë mënyrë stafet partiake dhe kandidatët për deputetë i nënshtrohen rregullave zgjedhore, me kufizime specifike për daljet televizive, ndërkohë që zëvendësohet ministri i Brendshëm dhe përfaqësuesi i qeverisë.
Kështu që interes të veçantë do të ketë e nesërmja e zgjedhjeve, pasi brenda dhjetë ditëve do të duhet të përfundojë procesi i mandateve për qeverisje që do të marrin tre partitë e para, ndërkohë që ndasitë mes tyre për të krijuar qeveri koalicioni janë tepër të mëdha.
Ndaj nuk përjashtohet që liderët e partive t’ia kthejnë mandatin zonjës Sakellaropoulou në një kohë më të shkurtër. Megjithatë, gjykatat kompetente do të kenë ratifikuar deputetët e zgjedhur dhe në të njëjtën kohë do të konstituohet Parlamenti i ri si organ.
Në këtë rast Presidentja e Republikës duhet të emërojë Kryeministër një nga kryetarët e tre gjykatave supreme të vendit dhe të betohet qeveria e përkohshme që do të udhëheqë vendin, në zgjedhjet e dyta, me sistemin e zgjeruar proporcional.
Pas betimit Kuvendi i ri do të mblidhet në fillim të qershorit, për seancë parlamentare dhe më pas…do të shpërndahet në fillim të korrikut për zgjedhjet e dyta me shumë gjasa në datën 2 korrik.
Nëse edhe atëhere nuk do të dalë një qeveri me shumicë parlamentare, atëherë procesi i mandateve ripërsëritet. Dhe nëse nuk është e mundur të formohet një qeveri bashkëpunimi, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të treta, ndoshta në fillim të shtatorit.