Grubi dhe Kovaçevski “amnistojnë” Dimitrijeviqin

Grubi dhe Kovaçevski “amnistojnë” Dimitrijeviqin

Gazetar: Adrian Kerimi

Qeveria mbron kredibilitetin e kompanive të cilat do të mbikëqyrin punimet e konzorciumit ndërkombëtar Bechtel dhe Enka në Korridoret 8 dhe 10-d. Të pyetur nëse kompania “Evro Konsallting” e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq cenon rëndësinë e projektit jetik, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi kërkoi që mediat të mos luajnë rolin e organeve hetuese.

“Ju lutem mos etiketoni. Kjo ishte vërejtja ime edhe në pyetjen paraprake sepse as neve dhe as juve nuk jemi organe hetuese”, tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Por a ishte vetë Qeveria ajo e cila mori rolin e organeve gjyqësore në vendimin e saj të 24 nëntorit të vitit 2020 kur kishte konstatuar se Kompania spanjolle “EPTISA” ka vepruar në mënyrë jo ligjore në mbikëqyrjen e punimeve në hekurudhës Kumanovë-Beljakovce. Grubi nuk foli për arsyet se pse ndryshoi vendimi i Qeverisë 10 javë më vonë, por tha se EPTISA tani si pjesë e grupit të kompanive mbikëqyrëse të udhëhequra nga IRD Inzhinjering ka pronësi tjetër.

“Ju po i referoheni një vendimi mbi EPTISA-n për vitin 2020 për një projekt krejtësisht tjetër dhe që nuk ka të bën fare me projektin e Korridoreve 8 dhe 10-d dhe ju lutem që ta ruajmë kredibilitetin e këtij projekti dhe mos ta njollosim me një gjë që i referohet hekurudhës dhe jo autostradës. Në ndërkohë, EPTISA ka ndryshuar pronësi. Bëhet fjalë për kompani krejtësisht të re dhe nuk është ajo kompani e vitit 2020 për vendimin të cilit ju i referoheni”, u shpreh Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Kryeministri Kovaçevski ishte i nevrikosur. Atij nuk i pëlqeu që karshi projektit me vlerë 1.3 miliard euro flitet për kallëzimin penal të Branisllav Dimitrijeviq, duke harruar se ndaj Dimitrijeviq ka akuzë nga Prokuroria armene dhe jo kallëzim penal.

“Nga projekti që kushton 1.3 miliard euro dhe buxhet të financuar, me mbështetje nga SHBA-të, tek neve tema kryesore është a ka dikush diku në një shtet tjetër kallëzim penal. Nëse ka kallëzim penal atje, le ta dërgojnë këtu dhe edhe Prokuroria jonë ta verifikon”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeminsitër.

Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-d e fitoi grupi i kompanive të udhëhequra nga “IRD Inzhinjering” në bashkëpunim me “Elektra Konsallting”, “EPTISA” dhe “Evro Konsallting”.

Dimitrijeviq si themelues i kompanisë “Evro Konsallting” akuzohet për mashtrim në Armeni dhe i arrestuar në Kroaci më 21 prill 2021 me flet-arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga Interpoli. Akuzat e autoriteteve armene i referohen punimeve në Korridon Veri-Jug kur Dimitrijeviq ishte “team leader” i konzorciumit franko-spanjoll “Savezh-EPTISA”. Organet e ndjekjes penale në Armeni, Dimitrijeviqin e akuzojnë edhe për kalim ilegal të kufirit armen dhe përdorim të dokumentit të rrejshëm për udhëtim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button