“Grupi I Zjarrit” rekruton Kastriot Rexhepin

Gazetar: Adrian Kerimi

Grupit parlamentar të BDI-së do t’i bashkohet edhe deputeti i pavarur Kastriot Rexhepi. Inkuadrimi i tij në BDI po shkon përmes të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”. Mbrëmë, Izet Mexhiti, Blerim Bexheti dhe vetë Kastriot Rexhepi publikuan të njëjtën fotografi me të njëjtin mbishkrim, bashkë. Mexhiti ka njoftuar shkurt mediat se Rexhepi do të jetë pjesë e grupit parlamentar, ndërsa Rexhepi tha se të gjitha qëndrimet e tij mbi veprimin e mëtejshëm politik do t’i thotë të enjten në emisionin “Rruga drejt” në Alsat. Me rreshtimin e Rexhepit brenda “grupit të zjarrit”, shumica parlamentare mbetet me 60 numra plus një deputet të pavarur, respektivisht Skender Rexhepi e shkëputur nga Alternativa. Fotografia u bë në të njëjtin vend nga ku para një viti u fotografuan Ahmeti, Mexhiti, Xhaferi e Bexheti pak ditë pasi dështoi tentimi i opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ndërkohë zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi duke folur për akuzat e “grupit të zjarrit” tha se të gjitha qëndrimet për kërkesat e tyre dhe akuzat kundër ekzekutivit i tha Ahmeti të enjten pas takimeve që kishte me degën e Çairit dhe Sarajit. Pyetjes “pse nuk të duan në BDI?”, Grubi tha se duhet t’i përgjigjet Ahmeti.

“Kësaj pyetje do të duhet t’i përgjigjet Ali Ahmeti por edhe gjithë të tjerët. Neve jemi këtu për të bërë punën tonë, ta realizojmë programin dhe të zbatojmë atë të cilën i kemi premtuar qytetarëve dhe shoh se mbështetja e trupit votues të BDI-së rritet. Në të gjitha anketat, BDI gëzon mbështetjen e më shumë se gjysmës së trupit votues te shqiptarët”, deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë

Derisa “grupi i zjarrit” vazhdon “rekrutimin” politik për zgjerimin e tyre, Lëvizja Besa jo zyrtarisht po përgatitë nismë për interpelancë kundër Grubit. Motivet e interpelancës nuk u komentuan sot zyrtarisht nga partia e Bilall Kasamit, por thanë shkurt se gjatë javës priten veprime konkrete, duke mos specifikuar ditën kur do të njoftojnë zyrtarisht kreun e Kuvendit mbi kërkesën për interpelancë. Sipas Rregullores së Kuvendit, interpelancë mund të paraqesin së paku pesë deputetë për punën e bartësit të funksionit publik, për Qeverinë dhe çdo anëtari të saj veçmas.

Lëvizja Besa në Kuvend përfaqësohet me dy deputetë, pas largimit të Rexhepit nga subjekti për shkak të mos pjesëmarrjes në seancën më mocion votëbesimi në nëntor të vitit kaluar. Nuk dihet nëse partia e Kasamit ka garantuar mbështetjen e deputetëve nga “grupi i zjarrit” Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku ose do të kërkon mbështetjen e deputetëve nga Aleanca për Shqiptarët apo VMRO-DPMNE-ja. Për miratimin e konkluzioneve nga interpelanca nevojiten të paktën 61 deputet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button