Hapet klubi maqedonas në Bllagoevgrad

Hapet klubi maqedonas në Bllagoevgrad

GAZETARE: AJNUR BAFQARI

Në atmosferë të tensionuar, me protesta nga ku përçoheshin mesazhe nxitëse dhe me pjesëmarrje të forcave të shtuara policore, u hap klubi kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë.
Nuk munguan incidentet verbale.
Menjëherë pas përfundimit të solemnitetit, erdhi deri tek incidenti verbal mes kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dhe një qytetari bullgar, në kohën kur mysafirët dhe nikoqirët u drejtuan drejt përmendores së Goce Dellçevit. Për shkaqe sigurie, policia bullgare nuk lejoi që krerët e VMRO-DPMNE-së dhe “Të majtës” të vendosin lule para përmendoreve, shkruan Alsat.


“Të mbështesim popullin tonë, maqedonasit, në këtë anë të kufirit. Le të dërgojmë një mesazh të qartë se ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase dhe vijmë nga Maqedonia dhe se në shekullin 21 askush nuk duhet të ketë dilemë dhe as të diskutojë.”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Partia VMRO BND protestoi kundër hapjes së kubit maqedonas. Zv/kryetari i kësaj partie, Angell Xhambaskin e cilësoi si provokim të rëndë hapjen e qendrës kulturore maqedonase.


“Bëhet fjalë për provokim të rëndë të organizuar nga Shkupi, sepse ato gabuan rëndë kur i sulmuan klubet bullgare në Manastir dhe Ohër. Protestojmë kundër mbledhjes së politikanëve maqedonas aktiv me separatistët në Bullgari. Njerëzit që qëndrojnë pas këtij klubi thonë se Bullgaria është okupator në Maqedoninë e Pirinit, se Bllagoevgradi është qytet maqedonas.”, tha
Angell Xhambaski, VMRO DPMNE.

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir “Vanço Mihajllov” dhe tjetri në Ohër “Car Borisi i Tretë”. Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë bashkëpunëtorë të Hitlerit. Hyrjes së klubit në Manastir ju vu flaka, ndërsa hapja e klubit në Ohër u shoqërua me protesta dhe  atmosferë të tensionuar./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button