Heshtje nga Sofja zyrtare për thirrjen e Pendarovskit për falje

Heshtje nga Sofja zyrtare për thirrjen e Pendarovskit për falje

Gazetar: Lluka Andreev

Nga Sofja zyrtare nuk ka asnjë reagim pas thirrjes së presidentit Stevo Pendarovski, drejtuar Bullgarisë për të kërkuar falje për deportimin e hebrenjve maqedonas. Gjatë përkujtimit të djeshëm të Ditës së Holokaustit, kreu i shtetit tha se “që të ketë pajtim, duhet të kërkohet falje për rolin e qeverisë profashiste në Sofje në atë kohë për deportim”.

Kjo kërkesë e Pendarovskit, megjithatë, hapi polemika në opinionin bullgar, ndërsa presidenti u kritikua edhe nga politikanët e djathtë. I pari që reagoi ishte bashkëkryetari i Komisionit të Përzier të Historisë, nga pala bullgare, Angel Dimitrov. Ai tha se qëndrimet e Pendarovskit, janë tejet ideologjike dhe se deklaratat e tij për rolin e Bullgarisë në deportim janë joserioze.

“Të flasësh për Bullgarinë në këtë mënyrë është jashtëzakonisht e papranueshme, madje jokorrekte, nga një politikan me përgjegjësi të madhe, qëllimi i të cilit duhet të jetë ruajtja e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve tona”, tha Angel Dimitrov – historian bullgar.

Nga ana tjetër, profesori universitar bullgar Mihail Ivanov, theksoi se pajtohet me Pendarovskin.

“Ai ka absolutisht të drejtë. Pse nuk i dëgjoj partitë politike demokratike për pozicionin e turpshëm në të cilin gjenerali Radev dhe rrethi i tij e kanë vënë Bullgarinë?”, u shpreh Mihail Ivanov, profesor universitar.

Zyra e Presidentit njoftoi se nuk do të bëjë deklarata shtesë për këtë temë, por shtoi se në përkujtimin e Ditës së Holokaustit, të gjithë përfaqësuesit e pranishëm të komunitetit hebre konfirmuan pretendimet e tij. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button