Zbulohen substanca toksike në ushqimet për foshnje

Një studim zbuloi metale kimike në shumë ushqime për fëmijë, përfshirë ato me etiketën “organike”, si arseniku dhe plumbi, substanca këto që mund të dëmtojnë zhvillimin e trurit, transmeton Anadolu.
Nënkomiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së kërkoi të dhëna nga shtatë ndërmarrje të ushqimit për fëmijë pasi një organizatë jofitimprurëse e quajtur “Healthy Babies Bright Futures” publikoi rezultatet e testeve të kryera mbi ushqimin për fëmijë në vitin 2019.
Vetëm katër nga kompanitë ushqimore në kuadër të hetimit, Gerber, Beech-Nut, prodhuesi i Earth’s Best Organics, Hain Celestial, dhe prodhuesi i Happy Family Organics, Nurture Inc., kanë ndarë të dhënat e tyre me komitetin.
Ekspertët kanë gjetur që substancat kimike si arseniku dhe plumbi janë hasur në mesin e vitaminave dhe mineraleve të shtuara në ushqimin e foshnjave.

Michael Hansen, një ekspert i lartë në organizatën joqeveritare Consumer Reports, deklaroi se është i shqetësuar për mënyrën se si mbetjet toksike në ushqim mund të dëmtojnë zhvillimin e foshnjave, truri i të cilave është në zhvillim e sipër, dhe se simptoma si probleme të sjelljes mund të vërehen në të ardhmen.
Hansen këshilloi prindërit të zgjedhin fruta dhe perime të papërpunuara në dietën e fëmijëve të tyre.
Nga ana tjetër, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka rekomanduar që ushqimet me bazë drithërash të preferohen për foshnjat, në vend të ushqimeve vetëm me oriz.
Në deklaratën e bërë nga FDA thuhet se ekspozimi ndaj kimikateve në produktet ushqimore është marrë në konsideratë dhe se prodhuesit e ushqimit për fëmijë kanë bërë përparim në zvogëlimin e arsenikut.

LEXO EDHE:

Back to top button