Hulumtim, sistemi i drejtësisë në vend lë për të dëshiruar

Hulumtim, sistemi i drejtësisë në vend lë për të dëshiruar

Gazetar: Ardit Ramadani

Në një hulumtim të Institutit të Demokracisë vihet në dukje së sistemi i drejtësisë në vend lë për të dëshiruar. Sipas diplomatit holandez gjyqtarët në Ballkanin Perëndimor janë të pavarur për aq kohë sa nuk preken interesat e të pushtetshmëve.

“Kam vërejtur që gjykatësit në shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi funksionojnë në mënyrë të pavarur derisa preken interesat e elitave të pushtetshme, në atë pikë gjyqtari bëhet më i kujdesshëm. Sidomos për shkak se shoqëritë janë relativisht të vogla, gjyqtarët dhe prokurorët jo gjithmonë ndjehen të sigurt për të kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur”, tha Bart de Brujm – Kordinator Rajonal për Sundim të së Drejtës dhe diplomat në Ambasadën e Mbretërisë Holandeze në Serbi dhe Mal të Zi.

Diplomati holandez potencoi se është shumë e rëndësishme që të ketë tranzicion të mentalitetit në mënyrë që të kemi gjyqësor më efikas dhe të pavarur. Sipas tij institucionet duhet të jenë më të rezistueshëm kundrejt kapjes së brendshme apo të jashtme. Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Demokraci si udhëheqës i hulumtimit, theksoi se gjyqësia në vend është vazhdimisht nën sulm dhe kërcënime nga ana e elitave politike me qëllim të ndikimit ndaj tyre.

“Kulturën gjyqësore e karakterizon një ambient frike, apatie dhe vetë-censurë te gjyqtarët të cilët ndoshta nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm dhe të zëshëm në mbrojtjen e integritetit personal, sidomos në vendimet të cilat vet i marrin”, u shpreh Marko Troshanovski, drejtor ekzekutiv i Institutit për Demokraci IDSCS.
Nga ana tjetër zëvendës ministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, pajtohet që duhet të ndryshohet kultura gjyqësore. Sipas tij për këtë janë përgjegjës vetë gjykatësit.

“Maqedonia e Veriut është vlerësuar pozitivisht për kornizën e miratuar juridike për gjyqësorin e cila është harmonizuar dhe siguron fonde dhe instrumente, por reformat nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk bëhen ndryshime në kulturën gjyqësore. Pavarësia individuale e gjyqtarëve dhe roli i gjykatave më larta në sigurimin e zbatimit uniform të së drejtës edhe më shumë kontribuon në procesin e zhvillimit të së drejtës”, tha Agim Nuhiu, zëvendës ministër i Drejtësisë.

Hulumtimet e fundit kanë vënë në dukje se vetëm 8 për qind e qytetarëve i besojnë gjyqësorit në vend. Për të rikthyer besimin nevojitet shumë punë. Këto probleme stagnojnë edhe rrugën integruese të vendit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button