Hulumtimi nxjerr telashet e thella të Facebookut

Gazeta prestigjioze amerikane, Wall Street Journal, ditë më parë ka publikuar një hulumtim të gjatë për telashet e thella që ka kompania e madhe teknologjike, Facebook, që të hënën pësoi rënien më të madhe në histori. Hulumtimi me titullin “Të dhënat e Facebookut”.

Seria e publikimeve tregonte se kompania e di mirë për problemet e saja të brendshme në funksionim e edhe në punë. Gjetjet kryesore të Wall Street Journal ishin bazuar në dokumentet e brendshme të Facebookut, duke përfshirë raportet e hulumtimit, diskutimet e punës online dhe draft-prezantimet e menaxherëve.

Dokumentet nxorën telashet e thella të kompanisë.

1. Facebooku thotë se rregullat vlejnë për të gjithë. Dokumenti nxjerr sekretin.

Mark Zuckerberg ka thënë se kompania ua mundëson përdoruesve të vet të flasin të barabartë kundrejt politikës, kulturës dhe gazetarisë, dhe se standardet e Facebookut vlejnë për të gjithë. Por brenda, kompania ka krijuar një sistem që përjashton disa profile të nivelit të lartë nga të gjitha rregullat e veta. Programi, i njohur si “XCheck” u mendua si matës i kualitetit për llogaritë e profileve të njohura. Sot, ai mbron miliona llogari të VIP-ave nga rregullat e kompanisë, sipas dokumenteve.

2. Facebooku e di se Instagrami është i dëmshëm për adoleshentet.

Hulumtuesit brenda rrjetit social Instagram, që është nën pronësi të Facebookut, kanë studiuar për disa vjet se si aplikacioni i shpërndarjes së fotografive ndikon në miliona përdorues të rinj. Në vazhdimësi, kompania ka gjetur se Instagrami po i dëmton një përqindje të tyre, kryesisht vajzat adoleshente, më shumë se platformat tjera sociale. Në publik, Facebooku ka mohuar gjithnjë efektet negative.

3. Facebooku u përpoq ta mbante platformën më të shëndetshme. Dështoi.

Në vitin 2018, Facebooku e ndryshoi algoritmin e vet për të përmirësuar platformën. Zuckebergu, pronari, u shpreh se qëllimi i tij është përmirësimi i lidhjes me përdoruesit dhe përmirësimi i ndërlidhjeve mes miqsh e familjes përmes pëlqimeve ndaj njëri-tjetrit. Por brenda kompanisë, sipas dokumenteve, stafi paralajmëroi se ndryshimi do të ketë efekt të kundërt. Ai po e bënte Facebookun dhe ata që po e përdornin, më të zemëruar. Zuckerbergu u rezistoi disa propozimeve nga ekipi i tij. Si përgjigje, kompania ka thënë se algoritmi i ri promovon përmbajtje objektive e jo të dëmshme.

4. Punëtorët alarmuan për kartelet e drogës dhe trafikuesit. Përgjigja e kompanisë ishte e dobët, sipas dokumenteve.

Disa dokumente të Facebookut, të shikuara nga Wall Street Journal, kanë treguar se punëtorët e kompanisë kanë alarmuar se si platforma po përdoret në disa vende në zhvillim. Ata alarmuan se trafikuesit e njerëzve po përdornin rrjetin social për të tërhequr gra. Ata alarmuan se grupe të caktuara në Etiopi po përdorin uebfaqen për të nxitur dhunë ndaj grupeve të caktuara etnike. Alarmuan edhe për shitje të organeve, pornografi e qasje jo të duhur ndaj disa politikave. Po ashtu dokumentet kanë treguar se përgjigja e kompanisë ishte joadekuate apo s’pati përgjigje fare. Një zëdhënës i kompanisë ka thënë se Facebooku ka përdorur partneritete lokale e globale për t’i mbajtur të sigurt përdoruesit.

5. Si Facebooku pengoi përpjekjet e Zuckerbergut për të vaksinuar amerikanët

Facebooku u përpoq të vihej pas promovimit të vaksinave anti-COVID, si demonstrim se kompania synon që të përdoret për të mirën shoqërore në botë. Përfundoi duke shfaqur telashet mes aspiratave dhe realitetit. Aktivistët mbushën Facebookun me thirrjet kundër vaksinimit, sipas dokumenteve. Ky rrjet social u përdor për të ngritur dyshimet ndaj vaksinave kundër COVID-19.

6. Përpjekjet e Facebookut për të tërhequr fëmijët tejkalojnë “Instagram Kidsin”.

Facebooku është kritikuar kohëve të fundit për shkak të efekteve te përdoruesit e rinj. Brenda kompanisë, ekipe të punëtorëve kanë planifikuar për disa vite se si të tërheqin fëmijët dhe kjo shkon përtej asaj që e di publiku. “Përse duhet të kujdesemi për të rinjtë”, ka thënë një dokument i 2020-s. “Janë audiencë e vlefshme, por e pashfrytëzuar”. Adam Mosseri, kreu i Instagramit, ka thënë se Facebooku nuk po rekruton të rinj për t’i përdorur aplikacionet – limiti aktual është mosha 13-vjeçare – por në vend të kësaj po mëson se si të rinjtë dhe fëmijët e përdorin teknologjinë për ta përshtatur për gjeneratën e ardhshme.

7. Publikohen dokumentet e Facebookut për Instagramin dhe adoleshentët.

Një mbledhje e Komitetit të Senatit për Tregti rreth Facebookut, adoleshentëve dhe shëndetit mental u ftua në mes të shtatorit. Bazuar në dokumentet e brendshme, doli informata se Facebooku po kryente hulumtime për ndikimin negativ të Instagramit tek adoleshentet dhe të tjerat.

8. Fuqia e punëtorëve

Wall Street Journal ka shikuar 10 vjet të listës së punëtorëve të Facebookut, që shfaqnin emrat, rolet dhe kontratat e punës. Të dhënat tregonin cilat ekipe nën cilët shefa janë zgjeruar më shpejt, duke ofruar një publikim të pazakontë të të dhënave dhe fuqinë e punëtorëve.

9. Sinjalizuesja e Facebookut

Frances Haugen, ish-menaxhere në Facebook, që mblidhte dokumentet e që formuan bazën e serisë së raportimeve, ka thënë se ishte frustruar nga mungesa e hapjes së kompanisë për dëmet që mund t’ia shkaktojë Facebooku të tjerëve.

LEXO EDHE:

Back to top button