“Ikja e trurit”, studentët: S’merren parasysh politikat rinore

“Ikja e trurit”, studentët: S’merren parasysh politikat rinore

Gazetare: Melihate Rustemi

Sistemi jo i duhur arsimor në arsimin e mesëm dhe të lartë është shkaku kryesor që ikja e të rinjve me arsim të lartë është vazhdimisht në rritje. Kështu thonë nga Forumi për ndryshime në arsim sipas të cilëve sistemi arsimor është shndërruar në një fabrikë që prodhon forcë pune për vendet e Bashkimit Evropian.

“Sistemi arsimor në vendin tonë është duke prodhuar kuadro falas që ua jep falas vendeve të Bashkimit Evropian dhe ky është një detaj shumë shqetësues. Nëse nuk reagohet tash, konkretisht me reforma radikale në sistemin arsimor ndoshta për 10 vitet e ardhshme, Maqedonia nuk do të hyj në Bashkimin Evropian por të rinjtë do të shkojnë në BE dhe do të largohen nga vendi”, deklaroi Blendi Hodai, Forumi për ndryshime në arsim.

Studentët vlerësojnë se ndër faktorët kryesor që të rinjtë më arsim të lartë po lëshojnë vendin është diskriminimi, korrupsioni dhe mos përfillja e politikave rinore.

“Mos përfaqësimi i politikave rinore, këtu do të kisha theksuar diskriminimin dhe korrupsionin me të cilën ballafaqohemi si shoqëri si dhe mos besimi në njerëzit e rinj. Duhet të na jepet hapësirë që të ngritemi në atë hierarki sepse gjithmonë ekziston dikush që është më I zëshëm ose më I mençur se ne, megjithatë kjo është vetëm teori, në praktikë nuk është pikërisht ashtu”, u shpreh Viktorija Postollovska, avokate studentore, USHKM.

Ministri i arsimit, Jeton Shaqiri tha se fushata “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” pritet të sjellë rezultate pozitive duke u mundësuar të rinjve me arsim profesional të mbeten në vend.

“Bashkë me ministrinë e Ekonomisë po punojmë në pakon e masave ekonomike dhe në një pjesë të këtyre masave përpiqemi të gjejmë mënyrën se si ti motivojmë kompanitë që të mbajnë kuadrin që kryen arsimin praktik. Gjithashtu, përveç motivimit të gjejmë një mënyrë që një pjesë e pagave të jenë më të larta nga ato ekzistuese që ofrohen në tregun e punës”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit.

Nga Forumi për ndryshime në arsim nuk dhanë numër të saktë të të rinjve me arsim të lartë që janë larguar nga vendi. Por, thonë se 20 persona me doktorate të përfunduara dhe rreth 300 të tjerë magjistra janë të papunë ndërkohë që punësimi I tyre varet nga libreza partiake./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button