Ilaçet për pacientët në Onkologji/ Filipçe thotë se Fondi ka mekanizma për t’i siguruar ato
Ilaçet për pacientët në Onkologji/ Filipçe thotë se Fondi ka mekanizma për t’i siguruar ato

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe kërkon përgjegjësi politike për institucionet që nuk marrin terapi për të sëmurët në Onkologji. Ai thotë se deri sa ka qenë ministër, terapi ka pasur.
“Kjo që po ndodh tani, këtë që po e thotë edhe drejtori i Fondit se ka mekanizëm por dëshiron ta shmangë atë mekanizëm dhe lejon të mos ketë terapi në klinikë është skandal me përmasa të papara. Njerëzit vdesin atje si mace sepse institucionet nuk duan të marrin ilaçe. Duhet të mbajnë përgjegjësi politike”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja nga ana tjetër akuzon Filipçen për afërsinë me kompaninë farmaceutike “Dr. Panovski” dhe kërkojnë që prokuroria të hetojë se kush përfiton dhe sa përfiton në kurriz të shëndetit të pacientëve që kanë nevojë për terapi në Onkologji.
“Me vite, mafia e vdekjes, e drejtuar nga kompania farmaceutike “Dr. Panovski” regjistron përfitime enorme dhe i shantazhon Fondin Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Është e njëjta kompani farmaceutike në pronësi të të atit të bashkëpunëtores së afërt të Venko Filipçes. Venko Filipçe dhe LSDM-ja politikisht e mbrojnë këtë mafia të cilën në fakt e kanë krijuar vetë ndër vite”, u shpreh Brane Petrushevski, VMRO.
Sipas tyre, nevojiten masa për mbrojtjen e buxhetit dhe të pacientëve nga kompani të këtilla. / Alsat.mk