Ilire Dauti nuk është më kryetare e komisionit për politikë sociale pasi dha dorëheqje
Ilire Dauti nuk është më kryetare e komisionit për politikë sociale pasi dha dorëheqje

Gazetar: Zekrija Haxhiu
Deputetja Ilire Dauti dha dorëheqje nga komisioni për politikë sociale. Ky vendim vjen pasi kundër saj të premten u votua interpelancë. Por Dauti e pati të vështirë të prezantojë dorëheqjen para deputetëve, sepse nuk e lejonte kreu i Kuvendit, Afrim Gashi.
Vetëm t’u tregoj se po e shkelni rregulloren, zonja Dauti. Tash po e përcaktojmë rendin e ditës, ju thash që në seancën e radhës që është të martën më 21, do ta keni kohën që të shpjegoni këtë të drejtë, tha Afrim Gashi – Kryetar Kuvendi.
Nuk më mbanë me zor Afrim Gashi ti mua të jem kryetare komisioni. Nuk më mban me zor Nikolla Micevski. Hesht aty! Hesht dhe vetëm mund të dëgjosh! Mësohuni të respektoni rregulloren, të respektoni ligje dhe procedura. Patjetër këtu sot do të dëgjohet fjala ime dhe arsyetimi im për aktin makabër që keni bërë të gjithë ju. Turp të keni të gjithë, deklaroi Ilire Dauti – Deputete.
Për të bindur Gashin, para foltores dolën deputetët Blerim Bexheti, Talat Xhaferi e Elmi Aziri. E pas një ndërprerjeje disa minutëshe, Ilire Dautit iu mundësua të japë sqarimin.
Po zgjedhë të veproj e lirë, e pakushtëzuar. Për të mbrojtur sërish vlerat bazë të demokracisë siç janë liria dhe barazia, pa mos u zmbrapsur aspak por duke u ripozicionuar për të njëjtin qëllim, tha Ilire Dauti – Deputete.
Por Dauti pati edhe ca fjalë dedikuar shumicës parlamentare. Këtë radhë, ishte më e ashpër!
Ecni more bahuni, shporruni, kështu siç u shporrët edhe nga kjo seancë. Sepse mendimi juaj për sa kohë që nuk e dini për veten tuaj çka duhet të bëni, nuk më duhet. S’jeni të vetëdijshëm se çka mund të duroj unë. Por të nënshtrohem tek ju e te asnjë tjetër, assesi! E ti i pa nderuari Afrim Gashi, dil dhe tregoju shqiptarëve për çka të duhet konkluza që nxore në votim, u shpreh Ilire Dauti – Deputete.
E derisa Ilire Dauti mbajti fjalimin në foltore, deputetët e shumicës parlamentare e braktisën seancën dhe u kthyen pasi fjalimi përfundoi. /alsat.mk