Institucione paralele në luftën kundër krimit
Institucione paralele në luftën kundër krimit
Gazetar: Mihajlo Donev
Njësia për luftimin e krimeve të rënda dhe të ndërlikuara në kuadër të Prokurorisë Publike të Shkupit tashmë funksionon dhe për të është miratuar plan vjetor, njoftojnë nga Prokuroria për Alsat. Kjo njësi do të duhet të merret me rastet e kriminalitetit të rëndë dhe të ndërlikuar, por në kuadër të Prokurorisë Publike tashmë ekziston departament për luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, Prokuroria sqaron se dy departamentet do të kenë funksion të ndryshëm me dallime kyçe në funksionimin e tyre.
“Nuk bëhet fjalë për prokurori paralele apo për tjetër prokurori, sepse kompetenca aktuale e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është e paraparë në ligjin për Prokurorinë Publike. Njësia për Krime të Rënda dhe të Ndërlikuara do t’i trajtojë lëndët e ndërlikuara në kompetencë të Prokurorisë Publike të Shkupit, ndërsa lëndët që do t’i trajtojë kjo njësi do të përcaktohen sipas kritereve që janë theksuar në njoftimin e publikuar”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Ish shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit, Villma Ruskovska, nuk e sheh të arsyeshme krijimin e një departamenti të tillë, pasi sipas saj bie ndesh me punën e njësisë tashmë ekzistuese për luftën ndaj krimit të organizuar.
“Mendimi im personal është se ky është institucion paralel. Në anën tjetër, në Prokurorinë Themelore Shkup, si prokuroria më e madhe në vend, deri më tani ka pasur njësi. Nuk e di se cili do të jetë funksioni dhe roli i saj. Atëherë, a duhet të hiqet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, a nuk duhet të ekzistojë? Sepse në emër të kësaj prokurorie përmendet krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe çfarë do të thotë kjo, në derë të vogël po i hiqen të gjitha kompetencat? Pse, cila është arsyeja e ekzistencës së saj?”, tha Vilma Ruskovska, ish shefe e PNKOK-SË.
Njësia e re për luftimin e krimeve të rënda dhe të ndërlikuara financohet nga buxheti i Prokurorisë Publike, ndonëse nga aty nuk e kanë bërë të ditur shumën, por theksojnë se tashmë disa donatorë ndërkombëtarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhuruar pajisje dhe mjete të tjera. Njësia udhëhiqet nga prokurori publik Vlladimir Millosheski ndërsa krahas tij janë caktuar edhe shtatë prokurorë publik nga prokuroria e Shkupit./Alsat.mk