Institucionet shtrëngojnë masat kundër sulmeve hibride

Institucionet shtrëngojnë masat kundër sulmeve hibride

Gazetar: Adreian Kerimi

Këshilli koordinues i shërbimeve inteligjente në kuadër të Qeverisë ka miratuar vendime të cilat sipas tyre do të ndikojnë në zbulimin e sulmeve hibride nëpër shkolla dhe institucione. Në këshill është diskutuar edhe për mekanizmat që ndikojnë në rritjen e rezistencës. Sipas ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në këshill është konstatuar se për momentin nuk ekziston kërcënim real ndaj sigurisë, por shërbimet duhet të punojnë për të garantuar sigurinë.

“Deri në këto momente nuk ka kërcënim real për sigurinë dhe këtë duhet ta dinë qytetarët. Por asgjë nuk guxon t’i mbetet rastësisë. Çdo shërbim në kuadër të kompetencave të veta do të ndërmerr masa plotësuese për të garantuar sigurinë”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Por sa është Maqedonia e Veriut rezistente ndaj sulmeve hibride ndaj sistemit të institucioneve të sigurisë, apo sa mund të pret vendin tonë një skenar si ai i Shqipërisë. Petrovska thotë se në procedurë e sipër është ligji për përmirësimin e mbrojtjes së infrastrukturës hibride në vend, duke pranuar se ndaj sulmeve nuk është askush 100 për qind imun.

“Ministria e Mbrojtjes është propozues i ligjit të ri për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Deri sa të miratohet ligji, çdo institucion është duke ndërmarr masa për të siguruar mbrojtjen hibride. Këtu dua të them se kemi mbështetjen e pa rezervë të partnerëve edhe nga NATO edhe jashtë saj”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Deri tani sulmet hibride kanë prekur shkollat, çerdhet, qendrat tregtare dhe aeroportin. Sulmet e natyrës së tillë nuk kanë ndërhyrë në sistemet e të dhënave të klasifikuara brenda institucioneve relevante.

Zyrtarisht nga organet e zbulimit dhe të ndjekjes penale është deklaruar se po punohet për zbardhjen e rasteve, ndërsa motivi i sulmeve është pozita gjeostrategjike e shtetit. Është zbardhur një rast i vetëm ku një fëmijë 14 vjeçar ka dërguar alarm të rrejshëm dhe do të ndiqet penalisht për veprën terrorizëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button