Janevska: Pr/ligji i ri për tekstet shkollore do ta zgjidh problemin me vonesat
Janevska: Pr/ligji i ri për tekstet shkollore do ta zgjidh problemin me vonesat
Gazetare: Melihate Rustemi
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar në ENER propozim ligjin e ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm. Ligji i ri duhet të sigurojë tekste me përmbajtje më cilësore, të zvogëlojë gjasat për gabime si më parë dhe të thjeshtojë procedurën e prokurimit, në mënyrë që tekstet të dërgohen në shkolla në kohën e duhur.
“Risia është se kësaj radhe I japim mundësi shtëpive botuese të marrin pjesë me tekste veç më të përgatitura të cilat më pas në procedurë të zgjedhjes, miratim nga Byroja, recension nga Komisioni Nacional do të zgjidhen dhe obligimi për shtypje u kalohet shtëpive botuese të cilët me marrëveshje do të jenë të detyruar t’i shpërndajnë tekstet shkollore deri më 1 Shtator. Presim të fitojmë kualitet më të mirë të librave dhe efikasitet më të madh që mos të vihemi në situatë që më 1 shtator mos të kemi libra”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Nga ana tjetër, ministrja Janevska tha se mungesa e teksteve në shkollat e Tetovës është shkaktuar për shkak se shkollat nuk raportuan me kohë mungesën e librave si dhe për faktin se prindërit, fëmijët e të cilëve kanë dëmtuar tekstet shkollore, nuk u është kërkuar të paguajnë dëmin.
“Nëse shkollat nuk i raportojnë tekstet e dëmtuara, nuk mund ta dimë se kanë nevojë për to, edhe pse Ministria e Arsimit ka dhënë një përqindje shtesë të teksteve që u janë shpërndarë shkollave këtë vit. Ligji parashikon që nëse teksti është i dëmtuar, prindi duhet të paguajë një shumë për ripërtëritjen e tekstit nga 10 deri në 70 për qind, në varësi të dëmit. Ata i kursyen prindërit për arsye të panjohura për mua dhe nuk i raportuan tekstet e dëmtuara. Por analiza e Ministrisë së Arsimit thotë se mungesa e teksteve që përmendin nuk përkon me realitetin”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Dy muaj pas fillimit të vitit shkollor, shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës, vazhdojnë të përballen me mungesë të shumë teksteve shkollore. Sipas Sektorit për Arsim të Komunës së Tetovës, numri i përgjithshëm i librave që mungojnë është mbi 20 mijë, pjesa më e madhe në gjuhë të huaja dhe lëndët profesionale. /Alsat.mk