Karakaçanov: Mbështetja për Maqedoninë e Veriut asnjëherë nuk ka qenë pa kushte

Derisa Qeveria e Maqedonisë refuzoi nismat e opozitës për debat parlamentar rreth pozicionit ndaj Bullgarisë, me pretendimin se dëmton negociatat dypalëshe, Qeveria e Sofjes “dha llogari” para ligjvënësve bullgarë. Ministri i Mbrojtjes, Karakaçanov i siguroi deputetët se palës maqedonase në të gjitha takimet i është bërë e qartë se mbështetja për integrim në BE nuk është e pakushtëzuar dhe se nuk mund t’i jepet dritë jeshile pa zbatim të marrëveshjes së 2017-tës, pa revizion të teksteve shkollore nga të cilat duhet të shlyejë gjuhën e urrejtjes.

Fatkeqësisht, koalicioni qeveritar në Shkup beson se meqë ua hapëm derën për në NATO, Bullgaria mund të jetë nën presion ose për arsye të tjera politike do të pajtohet ta anulojë pozicionin e saj kornizë të vitit të kaluar dhe deklaratën e Kuvendit. Nga ana jonë, vazhdimisht i është sqaruar se Qeveria nuk ka qëllim e as që mundet ta tejkalojë vendimin e Kuvendit bullgar, sepse Bullgaria është republikë parlamentare. Për ne, çështja mbetet e hapur”-tha Krasimir Karakaçanov, Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.

 

Karakaçanov tha se Berlini iu ka ofruar palëve ndërmjetësim, por mohoi se Gjermania apo ndonjë shtet tjetër po bën presion. Por, zv/presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova akuzoi Qeverinë se po e fsheh të vërtetën, duke pretenduar se Brukseli vazhdimisht po bën presion dhe se madje hodhi dyshime se tashmë është gati projekti që do të prezantohet në Këshillin e Përgjithshëm të BE-së më 17 nëntor.

Sofja tashmë ka betonuar qëndrimin se do ta lejojë euro-integrimin e vendit, vetëm nëse Shkupi pranon se populli dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Shtypi francez analizon se Bullgaria po i vendos veto kornizës negociuese për Shkupin, për shkaqe të brendshme politike, protestave kundër korrupsionit dhe vështirësive ekonomike me të cilat po përballet gjatë pandemisë. Dhe se kjo gjë, po e prish imazhin e BE-së në Ballkan.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button