KFOR: Të shmanget çdo përshkallëzim i ri, t’i hapet rrugë dialogut

KFOR: Të shmanget çdo përshkallëzim i ri, t’i hapet rrugë dialogut

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Në ditën e tretë të bllokimit të rrugëve në veri nga ana e qytetarëve serbë, KFOR-i tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është zgjidhja e arritur përmes dialogut që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”. Teksa Policia e Kosovës ka rritur prezencën në veri, Serbia ka paralajmëruar se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë që të vendosë deri në 1.000 trupa në Kosovë. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se duhet të shmangen deklaratat që kontribuojnë në eskalimin e konfliktit dhe të veprimeve. Ai porositi palët se duhet të ofrojnë ndihmë për uljen e tensioneve. Në një intervistë për France 24, ai theksoi se janë të gatshëm për reaguar.

“Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe vigjilente. Ato janë duke e vëzhguar situatën me shumë kujdes. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Bashkimin Evropian. Kërkoj nga palët që të përmbahen nga retorika që kontribuon për eskalimin e konfliktit dhe ta ndihmojnë uljen e tensioneve. NATO-ja është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë. Kemi ndihmuar për t’u dhënë fund dy luftërave, së pari në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona ende janë të pranishme përmes forcave të NATO-s, KFOR-i ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe të situatës”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës së tij në Kosovë do të marrë rrugën drejt Beogradit. Eskobar pritet që me zyrtarët e Serbisë, të diskutojë për situatën aktual, heqjen e barrikadave në veri dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Tensionet në veriun e Kosovës, janë rritur që nga 6 dhjetori, teksa janë regjistruar disa incidente të armatosura. Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kërkoi nga Bashkimi Europian që të ndihmojë në lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi. Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarë e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button