“Kjo është rinia jonë” – Teatri i Gjakovës sjell dramën për brezin e humbur
“Kjo është rinia jonë” – Teatri i Gjakovës sjell dramën për brezin e humbur

Më 2 dhe 3 maj 2025, në orën 20:00, në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë do të shfaqet premiera e dramës “Kjo është rinia jonë”, një vepër e Kenneth Lonergan që vjen në skenë përmes përkushtimit dhe vullnetit të tre aktorëve të rinj: Besfort Berberi, Arbies Komoni dhe Vlora Dervishi.
Në ” Ftesë në studio” aktori Besfort Berberi me gazetaren Xhemazije Rizvani shpalosën detaje nga shfaqja. E veçanta e këtij projekti është se është realizuar pa regjisor dhe me një buxhet minimal, si një iniciativë e pavarur e vetë aktorëve. Ata kanë marrë përsipër të gjitha aspektet e punës artistike, duke dëshmuar jo vetëm dashurinë për teatrin, por edhe guximin për të sjellë një shfaqje të plotë me forcat e veta. Drama dhe mesazhi
“Kjo është rinia jonë” fokusohet në jetën e tre të rinjve të klasës së mesme të lartë në New York, në fillim të viteve ’80. Përmes dialogut të mprehtë dhe humorit të errët, Lonergan eksploron pasiguritë rinore, krizën identitare, rebelimin ndaj normave dhe ndikimin e thellë të prindërve në formësimin e karakterit. Një nga temat qendrore të shfaqjes është mungesa e qëllimit dhe e drejtimit në jetën e të rinjve.
Personazhet, ndonëse të rrethuar nga privilegje materiale, ndihen të zbrazët dhe të humbur. Warren, një nga protagonistët, përfaqëson një brez që kërkon kuptim në një botë të kontrolluar nga të rriturit, ndërsa miqësia dhe përplasjet mes karaktereve nënvizojnë ndikimin e ndërsjellë në rritjen shpirtërore dhe emocionale. Edhe pse shkruar më shumë se tridhjetë vjet më parë, vepra mbetet aktuale.
Ajo ofron një pasqyrë të sinqertë të përvojës rinore, duke i ftuar shikuesit të reflektojnë mbi veten dhe shoqërinë bashkëkohore.
Një ftesë për teatër të sinqertë Me këtë shfaqje, Teatri i Gjakovës jo vetëm që hap skenën për projekte të pavarura, por edhe i jep zë një brezi artistësh që kërkon të flasë ndryshe – pa shumë mjete, por me thellësi dhe ndjenjë. Publiku është i ftuar të bëhet pjesë e një eksperience teatrore të sinqertë dhe prekëse, që flet me gjuhën e realitetit të të rinjve./Alsat.mk