“KOD”: Deklaratat e Grubit dhe Kovaçevskit nuk përputhen me faktet

“KOD”: Deklaratat e Grubit dhe Kovaçevskit nuk përputhen me faktet

Gazetar: Adrian Kerimi

Televizioni Tellma në kuadër të emisionit hulumtues “KOD” ka zbardhur skemën dhe strukturën e kompanive mbikëqyrëse në Korridoret 8 dhe 10-D dhe besueshmërinë e tyre të cenuar. Fokusi i hulumtimit ishte angazhimi i Branisllav Dimitrijeviq, themelues, pronar dhe drejtues i kompanisë Evrokonsallting, pjesë e grupit të kompanive që do të mbikëqyrin punimet e konzorciumit Bechtel&Enka. Ndonëse Dimitrijeviq është pajisur me shtetësi kroate, autoritetet armene sipas KOD, akoma kanë aktiv vendimin për paraburgim ndaj tij mbi akuzat për mashtrime në vlera miliona euro.

“Nuk bëhet fjalë për kallëzim penal por për aktuakuzë. Dimitrijeviq kur e ka lëshuar vendin edhe pse kishte ndalesë nga Prokuroria Publike në Armeni, akuzës i janë bashkuar edhe dy vepra të tjera si kalimi ilegal dhe falsifikimi i dokumentit. Që atëherë me kërkesë të Prokurorisë Publike në Armeni i është caktuar masa e paraburgimit por në mungesë”, tha Frosina Dimeska, PRIZMA.

Dimeska nga rrjeti hulumtues PRIZMA (BIRN) ka shqyrtuar vërtetësinë e deklaratave të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrit Artan Grubi mbi ndryshimin e pronësisë në kompaninë spanjolle “EPTISA” dhe deklaratën e përfaqësuesit të IRD Inzhinering Darko Spiroski mbi pronësinë e “Evrokonsalltin”. Nga hulumtimet e PRIZMA-s ka rezultuar se deklaratat e tyre nuk përputhen me gjendjen faktike.

“Pjesa më e madhe e deklaratave që u thanë në konferencën për media kur u nënshkrua marrëveshja, nuk përputhen me fakte dhe nuk janë plotësisht të vërteta. Njëri nga përfaqësuesit që ishte prezent tha se në momentin kur e kanë lidhur marrëveshjen, Dimitrijeviq nuk ishte pjesë e strukturës pronësore, por gjendja aktuale nga Regjistri Qendror dëshmon të kundërtën, Dimitrijeviq nuk është shkëputur asnjëherë nga struktura pronësore”, u shpreh Frosina Dimeska, PRIZMA.

KOD gjatë zbardhjes së strukturës pronësore të Evrokonsallting ka publikuar edhe emrat e personave të angazhuar nga Dimitrijeviq si drejtues të kompanisë, bashkëpronarë dhe persona të autorizuar, në mesin e tyre edhe djali i Dimitrijeviq, Zoran Dimitrijeviq. Lidhur me skandalin diplomatik dhe arratisjen e tij me ndihmën e diplomatëve, sipas KOD Dimitrijeviq është arratisur pas ujdisë së ofruar nga diplomatët maqedonas për vlerën 320 mijë euro, ndërsa nga Armenia është larguar ditën kur në Armeni për vizitë zyrtare ka qenë presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin. Kompania e tij në Maqedoninë e Veriut që nga themelimi ka marrë pjesë në rreth 250 projekte, 16 prej tyre në 12 muajt e fundit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button