Kodi i ri zgjedhor, ASH-ja kërkon lista të hapura dhe tetë njësi

Kodi i ri zgjedhor, ASH-ja kërkon lista të hapura dhe tetë njësi

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deri më tani, vetëm Aleanca për Shqiptarët ka pranuar publikisht që do t’i bashkohet nismës për përpilimin e një kodi të ri zgjedhor. Njoftimin për një proces të tillë që pritet të fillojë së shpejti e bëri një ditë më parë ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski.

“Mendojmë se duhet një kod i ri zgjedhor. Po, kanë dërguar një ftesë për t’u ulur dhe për të biseduar në drejtim të kësaj. ASH-ja ka qëndrimin e saj në lidhje me kodin e ri zgjedhor. E para qytetarët duhet të kenë më shumë liri në përzgjedhje dhe jo të jetë e drejta e kryetarit të partisë që t’i caktojë në radhitje në lista deputetët por duhet të jenë qytetarët ata që do të duhet ta zgjedhin të parapëlqyerin e tyre”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Përveç listave të hapura, ASH-ja ka edhe aspekte të tjera për të cilat deklarohet publikisht. Ata kërkojnë model me tetë njësi zgjedhore, të ndara sipas njësive të zhvillimit rajonal. ASH-ja kërkon edhe listë të pastër votuesish si dhe ndryshim të metodës së votimit të diasporës. Sipas Selës, diaspora duhet të votojë për njësitë në të cilat ka vendbanim brenda shtetit, me postë.

Alsat pyeti në VMRO, nëse në kohë të bllokimit të Kuvendit, janë të gatshëm t’i bashkohen nismës për një kod zgjedhor të ri. Nga atje nuk morëm përgjigje. Megjithatë, kjo parti, dhe të gjitha partitë e tjera parlamentare, kanë qenë pjesë e grupeve të punës për ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor të bëra vitin e kaluar e që kishin të bënin me zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së.
Ministri i Drejtësisë një ditë më parë nuk zbardhi se çfarë pret si rezultat i këtij procesi.

“Mendoj se nëse tashmë shkojmë me përgatitje të një kodi të ri zgjedhor, do të thotë që të gjitha mangësitë që janë konstatuar duhet të rishikohen edhe një herë, si nga personat dhe subjektet që preken, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që edhe ajo që është ofruar për momentin do të merret parasysh”, deklaroi Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Në Kuvend ekziston një nismë e cila shumë ngadalë dhe me pengesa ndjek procedurën parlamentare. Ajo është e partive më të vogla dhe ka të bëjë me ndryshimin e modelit me një njësi zgjedhore. Deri tani, nuk ka konsensus mes partive. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button