Komuna e Haraçinës mbylli dyert për qytetarët, kryetari dhe administrata nuk ndihen të sigurt

Komuna e Haraçinës mbylli dyert për qytetarët, kryetari dhe administrata nuk ndihen të sigurt

Gazetar: Mefail Ismaili

Komunës së Haraçinës iu vendos çelësi, për shkak se kryetari dhe administrata nuk ndjehen të sigurt për shkak të kërcënimeve. Kryetari i Komunës, Ridvan Ibraimi, njoftoi se nga dita e martë kur ndodhi incidenti i fundit deri në fillim të javës së ardhshme nuk do të punojnë. Ibraimi tha se ai dhe administrata kërcënohen nga persona të cilët e kanë uzurpuar një tokë e cila është në pronë të komunës dhe që përgatitet për t’u ndërtuar fushë futbolli për ekipin e komunës “Shkëndija”. Ibraimi u shpreh i zhgënjyer nga organet e rendit, pasi thotë se lidhur me kërcënimet e fundit por edhe ato që i ka denoncuar më herët, nuk është ndërmarrë asnjë masë. Kryetari Ibraimi thotë se në polici kanë dorëzuar edhe video të xhiruara me kërcënimet.

“Ky nuk është as incidenti i parë e as nuk ndërmerret masa nga institucionet kompetente, andaj besoj se nuk do të jetë edhe i fundit. Incidentet të këtilla kishim edhe më parë të cilat në kohë i paraqita në organet e rendit dhe ende po presim përgjigje. Përveç kësaj një kohë të gjatë kam problem edhe me emërimin e drejtorëve të shkollave fillore që janë në kuadër të Komunës së Haraçinës, ngase çdo kandidat që më jepet nga ana e këshillit të shkollave të njëjtët persona i kërcënojnë dhe asnjë nga këto persona nuk pranon që të zgjidhet drejtor shkolle”, tha Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë se i kanë marrë të gjitha masat që të zgjidhet problemi me kërcënimet në Komunën e Haraçinës. Ai apelon që kryetari dhe kërcënuesit, si bashkë partiakë ta zgjidhin në mes veti problemin.

“Ne kemi denoncim para disa ditëve për prishjen e sigurisë në Komunë dhe janë ndërmarrë masa sipas udhëzimeve që i dha Prokuroria Publike dhe do të ngrihen denoncime kundër këtyre personave. Mendoj se të gjithë ata punë që ndodhin në Haraçinë janë punë që patjetër t’i pastrojnë në mes vete. Pse sepse konfliktet në mes veti që i kanë persona me përkatësi të njëjtë politike, me interesa të njëjta e kështu me radhë nuk guxon të reflektojnë negativisht tek qytetarët, në punën e Komunës në aspekt të funksionimit”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Të martën kryetari i Komunës së Haraçinës ka denoncuar në polici se përsëri është kërcënuar me jetë dhe kjo ishte hera e dytë brenda një viti, që sulmohet dhe kërcënohet, nga familjar të ish kryetarit të komunës po ashtu nga radhët e BDI-së, Brahim Ajvazi. I kontaktuar nga Alsat, Ajvazi tha se nuk ka pasur sulm ose kërcënime, por njëri nga familjarët ka shkuar në komunë për të dorëzuar një dokument për një tokë. Sipas familjes Ajvazi, Ibraimi ka menduar se bëhet fjalë për ndonjë kërcënim dhe ka kërkuar ndihmë policore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button