Kosova në kërkim të konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të martën se partia e tij, Lidhja Demokratike, është duke bërë përpjekje që të organizojë një tryezë me partitë politike për të zgjidhur çështjen e postit të presidentit të vendit, i cili që nga 4 nëntori ka mbetur i zbrazët pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi.

Aktualisht kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani është ushtruese e detyrës së presidentit dhe kanë kaluar gati një muaj e gjysmë nga afati prej 6 muajsh brenda të cilit vendi duhet të bëhet me president të ri, apo të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne jemi duke u angazhuar të ndodhë sa më shpejt, kryetari (Isa) Mustafa është duke u marr me këtë çështje. Unë shpresoj që ky takim të ndodhë sa më parë dhe vetëm në tavolinë të partive politike parlamentare të gjendet një zgjidhje. Të shohim nëse ka vullnet për të tejkaluar këtë situatë ose tregojmë sigurisht maturinë e nevojshme politike për të dalë nga kjo situatë”, tha kryeministri Hoti.

Deri tani, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar kryetarin e saj, Ramush Haradinaj për postin e presidentit. Partitë tjera ende nuk kanë paraqitur ndonjë kandidaturë, ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkon që së pari të mbahen zgjedhjet e reja e pastaj të zgjidhet presidenti.

Vëzhgues të proceseve politike thonë se diskursi aktual politik në vend nuk lë shumë hapësirë për gjetjen e një kompromisi për presidentin e ri të vendit.

“Pjekuria për të prezantuar një emër konsensual që do të ishte në përputhje me kriteret që kërkohen nga kushtetuta e Kosovës kërkon një vullnet të partive politike, e këtë nuk po e shohim deri tani, prandaj mënyra e diskutimit dhe argumentet që po i shohim deri tani shkojnë kah zgjedhjet e reja”, thotë profesoresha e studimeve politike, Jehona Lushaku Sadriu.

“Besoj se palët tashmë kanë filluar më shumë të bëjnë edhe llogari dhe do të vlerësojnë e gjykojnë situatën edhe duke krahasuar me një situatë paszgjedhore do të thotë duke e parashikuar një rezultat të mundshëm dhe ku mund dhe si mund të dalin në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Por mua më duket e vështirë që Ramush Haradinaj të tërhiqet. Ai ka treguar vazhdimisht konsistencë se kur ngulë krye për diçka të tillë nuk tërhiqet, ndërkohë që nuk shoh asnjë interes as te LDK-ja dhe as PDK-ja që ta votojnë atë për president, kështu që me shumë gjasë po shkojmë drejt zgjedhjeve diku nga pranvera”, tha analisti Agon Maliqi.

 

Analisti Agon Maliqi thotë se zgjedhjet e reja do të mundësonin më shumë hapësirë për arritjen e kompromiseve.

 

“Në rast se shkojmë në zgjedhje atëherë në një farë forme hapen të gjitha letrat, këto do të jenë të themi ashtu zgjedhjet e para pa vija të kuqe për koalicione dhe çdo opsion është i hapur, kështu që hapen mundësitë, hapen ekuacionet e ndryshme, megjithatë mbetet e vështirë sepse kjo kultura e kompromisit tek ne është bërë shumë problematike”, thotë zoti Maliqi.

Profesoresha e studimeve politike, Jehona Lushaku Sadriu, thotë se zgjedhjet do të mundësonin kompromise më të lehta për postet e larta dhe se kësaj radhe partitë politike do të jenë më të gatshme për bashkëpunim për të zgjedhur institucionet e reja.

“Në rast se do të ketë vonesa ndërmjet partive politike për të prodhuar ekzekutivin nga një shumicë e konsoliduar në parlament, atëherë do të kemi problem edhe për zgjedhjen e presidentit e pastaj do të ballafaqoheshim për herë të parë prej ekzistimin të shtetit tonë me një situatë paradoksale ku do të mungonte presidenti e që pastaj do të jetë pikëpyetje se kush do ta merr atë pozitë. Një krizë e tillë institucionale është mirë që të evitohet nga partitë politike por kjo varet nga pjekuria dhe maturia e partive politike”, tha zonja Lushaku Sadriu.

“Do të jetë fatale nëse kjo krizë zgjatet por kjo mbetet në përgjegjësinë e palëve politike që secila tani duhet të tregohet më e përgjegjshme në përputhje me rrethanat”, thotë zoti Maliqi.

Koalicioni aktual qeverisës përballet me mungesë të votave për të zgjedhur presidentin, meqë zgjedhja e tij kërkon praninë e dy të tretave të deputetëve në seancën e votimit, një synim ky që sipas vëzhguesve shumë vështirë i arritshëm pa votat e të paktën njërës nga partitë opozitare./VOA

 

LEXO EDHE:

Back to top button