Kosova synon reformim të sistemit të drejtësisë

Autoritetet qeveritare në Kosovë thanë sot se mbështesin fillimin e rishikimit të sistemit të drejtësisë përmes Vettingut në përpjekje për të përmirësuar besueshmërinë në këtë sistem dhe rritjen e llogaridhënies brenda tij.

Këto komente u bënë gjatë paraqitje së një dokumenti të hartuar nga një grup punues i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile që përfshinë katër modalitete për rishikimin e sistemit të drejtësisë duke filluar nga mbajtja e gjendjes aktuale, ndryshimi i ligjeve e deri tek Vettingu pesë vjeçar dhe Vettingu i përhershëm.

Vettingu është proces që synon shqyrtimin e së kaluarës së bartësve të sistemit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial të vendit.

“Ne mendojmë dhe jemi të bindur që me këtë dokument dhe me modalitetin që do ta zgjedhim normalisht duke u konsultuar edhe me akterë tjerë përtej grupit dhe brenda grupit jemi të sigurt dhe të bindur se po i vije fundi edhe dembelëve brenda sistemit të drejtësisë, të korruptuarve brenda sistemit të drejtësisë dhe atyre të cilët deri tash kanë pasur njëfarë qasje të papërgjegjshme”, tha zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Ministri i drejtësisë, Selim Selimi tha se Vettingu synohet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo politik, për të mundësuar pavarësimin e gjyqësorit.

Kjo është vetëm hapi i parë për të krijuar një sistem më llogaridhënës, një sistem më të fortë për t’i mbrojtur prokurorët edhe gjykatësit e ndershëm dhe për t’i larguar ata që nuk janë të ndershëm”, tha ministri Selimi.

“Kryesuesi i grupit punues për Vettingun, Florent Spahija në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë që Kosova të bëj dy lloje të Vettingut për hir të reformimit të plotë të sistemit të drejtësisë.

“Pra fillimisht të bëhet një Vetting total për sistemin dhe më pastaj të bëhet Veting i përhershëm që secili gjyqtar apo prokuror së paku njëherë brenda 5 vjetësh të futet në filtrat e sistemit dhe filtrohet nëse është llogaridhënës, transparentë që ka të bëj me transparencën, llogaridhënien, çështjen e integritetit të tij e më pastaj edhe çështjet etike”, tha ai.

 

Zoti Spahija thotë se ky lloj Vettingu bëhet në shtetet e përparuara sikurse Shtetet e Bashkuara dhe se i njëjti sipas tij do të mund të funksiononte edhe në Kosovë.

 

Ai thotë se Vetingu i plotë do të duhej të kryhej brenda 5 viteve duke filluar me hetimin e strukturës së lartë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshillave dhe pastaj me strukturën e dytë që janë gjyqtarët e gjykatës së Lartë, të Apelit dhe gjykatave themelore si dhe të prokurorëve.

“Nëse sistemi i Vetingut më pas vlerëson se dikush nuk e meriton atëherë ai person duhet të zëvendësohet për të mos mbetur ajo hapësira që ka pasur vende që kanë vuajtur shumë ose po vuajnë ende si në rastin e Shqipërisë me Vetting ku po vuajnë në mungesë të ekspertëve ose në mungesë të gjyqtarëve e prokurorëve në pozita të caktuara”, tha ai.

Organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë ta paraqesin sistemin e drejtësisë në Kosovë si të brishtë, me mungesë mungesë të besimit nga ana e qytetarëve dhe si të ndikuar nga politika.

“Është ndërhyrja politike në gjyqësor, numri i madh i lëndëve në gjyqësor, janë mungesa e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe që është zbutur prapë mbetet sfidë, ndryshimet ligjore të vazhdueshme por edhe sfida tjera që janë kryesisht në llogaridhënie edhe të cilat kanë të bëjnë me integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha zoti Spahija.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur fusha më e kritikuar, me gjithë ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe investimeve të mëdha nga institucionet ndërkombëtare./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button