Kosovë/ Dështon sërish zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare

Kosovë/ Dështon sërish zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare

Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas për tentimit të shtatë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk u votua përsëri të dielën.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet edhe pas tentimit të shtatë radhazi, pasi Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.

Në votimin e zhvilluar të dielën, 57 deputetë votuan në favor të Haxhiut, 41 ishin kundër dhe tre abstenuan, duke mos arritur kështu pragun e 61 votave të nevojshme.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të martën, ndërkohë që Vetëvendosje ka vendosur të mos ndryshojë kandidaturën, duke propozuar përsëri Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Këtë e konfirmoi edhe deputeti i VV-së, Arben Vitia.

Deputetët e minoriteteve, sipas Elbert Krasniqit nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRD), janë deklaruar pro kandidaturës së Haxhiut dhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre, duke theksuar se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë koalicioni ku përfshihet Lista Serbe.

Nga ana tjetër, opozita vazhdon të refuzojë ta mbështesë kandidaturën e Haxhiut. Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, u bëri thirrje partive opozitare të reflektojnë dhe të votojnë për zhbllokimin e institucioneve, duke theksuar se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shpresoi publikisht se Vetëvendosje do të ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar, duke deklaruar shkurt për gazetarët: “Ishalla lëviz diçka! Ndonjë kandidat”.

Edhe deputeti i VV-së, Faton Peci, theksoi nevojën urgjente që Kosova të formojë institucionet, ndërsa tha se gjithçka do të qartësohet përmes procesit të votimit.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, deklaroi se partia e saj nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Vetëvendosje për diskutime dhe se qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshuar: ata nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun.

Skepticizëm për konstituimin e Kuvendit shfaqi edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili theksoi se çdo deputet ka përgjegjësinë e vet dhe se nuk është detyra e tij t’i bindë kolegët për të votuar.

Në dy javët e fundit, Kuvendi ka dështuar të konstituohet në shtatë tentime radhazi, duke e lënë Kosovën ende pa institucione të reja dhe pa mundësi për formimin e qeverisë së re.

LEXO EDHE:

Back to top button