Kosovë, licencohen 11 laboratore tjera për kryerje të testeve për Covid-19


Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur të martën se ka licencuar edhe 11 laboratore tjera për kryerje të testeve serologjike për koronavirusin e ri.

Përmes këtyre testeve, një person e kupton nëse është prekur në të kaluarën me koronavirus, apo nëse ka krijuar anti-trupa ndaj tij.

Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 98 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Për dallim nga testet serologjike, testet virologjike – që aktualisht kryhen edhe në dy laboratore private në Kosovë – përcaktojnë nëse një person është i infektuar me koronavirus në kohën kur testohet.

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12,547 të infektuar me këtë virus.

Deri më tani 8,657 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3,410 raste aktive.

LEXO EDHE:

Back to top button