Kosovë/ Protestë kundër vendimit të Speciales, të pranishëm edhe deputetë

Kosovë/ Protestë kundër vendimit të Speciales, të pranishëm edhe deputetë

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Gjykatë Speciale-Padrejtësi Speciale” janë vetëm disa nga pankartat e qytetarëve të shumtë, që u shfaqën sot gjatë protestës në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të protestuar kundrejt vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kjo protestë ishte paralajmëruar nga Partia Socialdemokrate (PSD), pas vendimit të Gjykatës Speciale për ta dënuar ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim.

Në të morën pjesë edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, Hisen Berisha nga radhët e PDK-së dhe Ariana Musliu-Shoshi.

Protesta ishte lajmëruar nga kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili njëherit kishte bërë të ditur se protestës do t’i bashkohej edhe OVL-UÇK. Nga kjo e fundit, i pranishëm në protestë është parë të jetë edhe Faton Klinaku.

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

Prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Mustafa është i dënuari i parë i Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, ka deklaruar kryetarja e trupit gjykues.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./rtd/

 

LEXO EDHE:

Back to top button