Kosovë, vdes edhe një mjek nga COVID-19
Alsat
19.08.2020 10:01
Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka vdekur Internisti dhe Nefrologu, Feti Hetemi nga komuna e Vitisë. Vdekja e tij erdhi shkak i infektimit me COVID-19.
Kështu kanë bërë të ditur familjarët e tij nëpërmjet një postimi në profilin e tij ‘facebook’.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 16:00 në varrezat e qytetit të Vitisë, duke respektuar masat e IKSHPK-së.
“Të nderuar familjarë, shokë dhe miq, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë më i dashuri i ynë Dr.Feti Hetemi. Doki, edhe pse u sfidua në jetë nga shumë stuhi të natyrave të ndryshme dhe i përballoi ato kryelartë, sot ka humbur betejën me sëmundjen Covid-19. Ndjehemi të trishtuar nga kjo humbje, por më shumë se krenar që e patëm. Lamtumirë Dok, burrë fisnik që me shumë mund dhe sakrificë arrite në piedestalet e humanitetit dhe çështjes kombëtare, duke mos pushuar për asnjë moment me shpirtin tënd luftarak për të mposhtur padrejtësitë. Varrimi do të bëhet sot në ora 16:00 në varrezat e qytetit të Vitisë, duke i respektuar masat e IKSHPK-së”, ka shkruar Fatos Hetemi.