Kovaçevski: Mund të ketë zgjerim të shumicës, është normale ASH-ja të ketë kushte

Kovaçevski: Mund të ketë zgjerim të shumicës, është normale ASH-ja të ketë kushte

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pranon se zhvillon negociata me Aleancën për Shqiptarët dhe se mund të ketë zgjerim të shumicës parlamentare. Ai tha se është normale që partia opozitare shqiptare të ketë kushte, për të cilat do të bisedojnë.

“Nuk kemi biseduar konkretisht për resorë dhe për marrjen e përgjegjësive konkrete në resorë por sigurisht se negociatat do të vazhdojnë dhe nëse pajtohemi tërësisht për këto parime bazë për të ardhmen e shtetit dhe për këtë nuk kam dyshime sepse Aleanca për Shqiptarët gjithmonë, edhe në periudhën e kaluar ka dëshmuar se i ka mbështetur të gjitha vendimet për të ardhmen evropiane të vendit, nëse negociatat vazhdojnë me vullnet të mirë dhe në frymë pozitive si deri tani, mund të ketë edhe zgjerim të shumicës”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

I pyetur nëse për këtë ka biseduar me partnerët e tjerë të koalicionit, duke apostrofuar Alternativën, kryeministri nuk beson se dikush do të jetë kundër zgjerimit.

“Nuk kemi biseduar megjithatë mendoj se nëse jemi të angazhuar për vazhdimin pa pengesa të rrugës së vendit në eurointegrime mendoj se lehtë do të arrijmë marrëveshje të gjithë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçevski dhe Taravari zhvilluan një takim të premten, në të cilin thanë se kanë biseduar për reformat e nevojshme për rrugën evropiane dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Taravari nuk mohoi hyrjen e mundshme në qeveri por edhe ai tha se nuk kanë biseduar për poste. Megjithatë, jozyrtarisht flitet se negociatat zhvillohen për postet e tre ministrave, tre zv/ministrave dhe dhjetëra drejtorive. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button