Kovaçevski: Qeveria ka luftuar për integrim dhe avancim të shoqërisë, opozita për izolim të shtetit

Kovaçevski: Qeveria ka luftuar për integrim dhe avancim të shoqërisë, opozita për izolim të shtetit

Gazetar: Lluka Andreev

Presidenti Stevo Pendarovski nuk e përjashton mundësinë e kërkesave joparimore dhe joevropiane që prekin identitetin gjatë procesit të negociatave me Brukselin. Por ai tha se Evropa nuk do të ketë partner për dialog të tillë, shkruan Alsat.

Duke folur për Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, kreu i shtetit përsëriti se tani është e rëndësishme të përkushtohemi në reforma dhe Kuvendi të ketë vend qendror në këtë proces.

Prandaj, sipas Pendarovskit, është e nevojshme që të gjithë të përfshihen në proces.

“Integrimi evropian nuk mund të jetë qëllim dhe prioritet i vetëm një grupi politik. Është projekt nacional dhe të gjitha partitë relevante politike e kanë përkrahur që nga fillimi i pavarësisë së Maqedonisë e deri më sot. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë, si qeverisë ashtu edhe opozitës, që të përfshihen në mënyrë konstruktive në këtë proces dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e tij”, tha Stevo Pendarovski– president.

Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në Raportin e Komisionit flitet për dy koncepte. Njëri, që udhëhiqet nga Qeveria dhe i cili ka për qëllim ligjet reformuese, dhe tjetri nga opozitë që parashikon bllokada dhe izolim të Maqedonisë

“Koncepti i dytë bllokon të gjitha ligjet në Parlament. Nëse mund të kuptoj një pjesë të asaj opozite, e cila është në telefonatë me Rusinë gjithë ditën, nuk mund ta kuptoj pjesën e dytë. U bëj thirrje të gjithëve në Kuvend të bashkohemi për hir të së ardhmes së këtij vendi…”, u shpreh Dimitar Kovaçevski– kryetar i Qeverisë.

Mesazh për dialogun e brendshëm dërgoi ambasadori çek, vendi i të cilit aktualisht kryeson Bashkimin.

“Reformat kërkojnë punë të përkushtuar dhe qasje sistematike ndaj detyrave, por mbi të gjitha kërkohet dialog politik konstruktiv. Kërkohet angazhim jo vetëm nga struktura aktuale politike, por edhe nga e gjithë shoqëria”, theksoi Jarosllav Lludva– ambasador i Republikës Çeke.

Këto vlerësime u dhanë në Forumin për rrugën evropiane dhe reformat, ku kryeministri Kovaçevski ritheksoi pritshmërinë për anëtarësim të plotë në Union në vitin 2030./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button