Kurti: 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mohuar masakrën e Reçakut

Kurti: 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mohuar masakrën e Reçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në akademinë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, tha se 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut.

Kurti, duke folur për Aleksandër Vuçiqin, tha se atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ai e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit.

“Si viti i 25-të i pasluftës, viti 2024, përkatësisht gjysma e parë e këtij viti, do të jetë shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë si dhe me përkujtime të dëshmorëve të lirisë dhe betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror, nga ushtria tek mjekësia ligjore dhe nga media tek propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për t’a fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit” dhe dihet se kush ishte atëherë Ministër i Informacionit, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit, të kryer nga shteti i Serbisë”, është shprehur Kurti.

Osmani: Kërkimi i drejtësisë për Masakrën e Reçakut, detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë etnikë dhe politikë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që kërkimi për drejtësi për Masakrën e Reçakut është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike.
Ajo deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

“Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

“Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës e kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit [William] Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë”.

“Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundër urrejtjes”.

Konjufca në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut: Njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut është shprehur se ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë.

Konjufca u shpreh se pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës.

Tutje, ai u shpreh se do të mblidhen çdo 15 janar, për t’i kujtuar, siç tha ai, martirët dhe dëshmorët e Reçakut.

“Jemi mbledhur këtu pra në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë, e poashtu për botën demokratikë shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore e cila i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj, gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës”.
“Pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës, sepse përndryshe nuk do të ndalej lufta në Kosovë dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Gjithmonë do të mblidhemi këtu, çdo 15 janar, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, por të mos harrojmë edhe dëshmorët të cilët ranë në përpjekje për ta mbrojtur popullatën civile të Reçakut. Lavdi martirëve dhe lavdi dëshmorëve të Reçakut”, është shprehur ai./KlanKosova

LEXO EDHE:

Back to top button