Kurti për “The Guardian” thotë se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima

Kurti për “The Guardian” thotë se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima

Mediumi britanik “The Guardian” ka shkruar për situatën në veri të Kosovës që ka hyrë për të njëmbëdhjetën ditë.

Aty citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti se Rusia është duke nxitur tensione mes Kosovës dhe Serbisë si pasojë e luftës në Ukrainë, derisa theksohet se Beogradi ka bërë kërkesë në KFOR për t’i vendosur trupat e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

“Serbët në veri të Kosovës, ku janë shumicë, kanë barrikada të ngritura për më shumë se një javë, duke penguar lëvizjen e lirë të autoriteteve kosovare, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për largimin e bllokadave të paligjshme”.

“Një grup i madh i anëtarëve të ‘Narodne Patrole’, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paraushtarak rus ‘Wagner’, ishin mbledhur gjithashtu të dielën në anën serbe të kufirit Kosovë-Serbi duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s”, shkruhet në artikullin e The Guardian.

Ndër të tjera, ky medium shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që 1,000 policë dhe ushtarë serbë duhet të vendosen në veri të Kosovës për mbrojtje të komunitetit serb. Sipas The Guardian, kërkesa e Serbisë me siguri do të refuzohet, por se ekziston shqetësimi se mund të vendoset një hap i parë i një vendimi të njëanshëm.

Thuhet se Kurti është shprehur i shqetësuar se situata e tensionuar mund të përshkallëzohej në avantazhin e Vladimir Putinit, pasi sipas tij, forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 stërvitje të përbashkëta ushtarake në vitin 2021.

Udhëheqësi kosovar shtoi se ai kishte rënë dakord që t’u jepte kohë trupave të udhëhequra nga NATO-ja, gjegjësisht nga KFOR-i, për t’i bindur personat që ishin në barrikada të tërhiqeshin, por se ato nuk mund të lejohen që të qëndrojnë edhe shumë gjatë. Sipas “The Guardian”, Kurti i përshkroi barrikadat si një hap drejt ndarjes së vendit.

“’Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë mundësitë e viktimave. Prandaj ne duam të jemi sa më të kujdesshëm që të mundemi për t’u siguruar se nuk do të ketë destabilizim, dhe të vendosen paqja relative dhe siguria. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, citon Kurtin “The Guardian”.

Kurti shtoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që barrikadat duhet të largohen, por se ata janë të brengosur se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi.
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”.

“Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u dobësua rëndë në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd”, ka thënë Kurti.

The Guardian, ndër tjera, shkruan edhe për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke cituar Kurtin të ketë thënë se me këtë veprim parandalohet përhapja e luftës së Ukrainës.

“Pra, anëtarësimi në BE ndihmon. Ne e dimë se ka një rrugë të gjatë përpara. Për Finlandën dhe Suedinë ishin tre vjet. Për Maltën dhe Qipron, 14. Mesatarja është nëntë. Dhe unë thash publikisht, le të synojmë mesataren”, ka thënë Kurti, shkruan The Guardian.

LEXO EDHE:

Back to top button