Kush do të shkojë e kush jo në takimin e thirrur nga kryeministri?

Kush do të shkojë e kush jo në takimin e thirrur nga kryeministri?

Gazetar: Adrian Kerimi

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski do të merr pjesë ne takimin e ftuar nga kryeministri, shkruan Alsat.

Për herë të parë kreu i VMRO-së do të shkon në takim pa kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mickoski propozon që në takim të bisedohet për krizën energjetike dhe problemet e qytetarëve dhe jo për ndryshimet kushtetuese.

Mickoski iu përgjigj zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi i cili ditë më parë deklaroi se shumica i posedon numrat e nevojshëm për hapjen e kushtetutës.

“Ata përsëri do ta imponojnë temën për ndryshimet kushtetuese, temë e cila i polarizon qytetarët. Nëse VMRO-DPMNE-ja nuk merr pjesë në atë takim, do të dalin dhe do të thonë ja VMRO-ja është kundër BE-së ndërsa ne jemi pro integrimit. Këtë e kanë si koncept. Shihet nga lartë. Shumë mirë, nëse i kanë le të nisin procedurën në Kuvend. Nëse i kanë 80 vota, pse bëjnë takim liderësh. Mendoj se Grubi ka qëllim tjetër, por unë i dëshiroj sukses në karrierën e tij politike”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga BDI thonë se një takim i tillë është i domosdoshëm e sidomos kur në të flitet për ndryshimet kushtetuese si pjesë e agjendës Evropiane.

“E shohim mese të rrugës ftesën për një takim të partive politike pavarësisht nga sfondi etnik dhe orientimi ideologjik. Kështu që është e rrugës të mbahet një takim i tillë aq më tepër kur kemi parasysh se për ndryshimet kushtetuese nevojiten 2/3 e votave në Kuvend që imponon domosdoshmërish, bashkëpunimin, bashkërendimin dhe kohabitacionin e partive parlamentare”, u shpreh Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.

Nga Lëvizja Besa thonë se pasi të pranojnë thirrjen e kryeministrit, organet e partisë do të vendosin nëse marrin ose jo pjesë në të.

“Jemi të njoftuar përmes mediumeve. Ende nuk ka ftesë në zyrat tona që të mund ta shqyrtojnë. Në momentin që e pranojmë ftesë, organet partiake do ta shqyrtojnë dhe do të vendosin”, theksoi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët akoma nuk ka vendosur për takimin e të hënës. Të enjten në këtë subjekt mblidhet Komisioni për organizimin e Kongresit të partisë dhe si organ i cili ka kompetencat e kryesisë së partisë, do të merr vendim nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit ose jo.

Alternativa si pjesë e Qeverisë nuk ka qëndrim të prerë për aq kohë sa nuk ka pranuar thirrjen e kryeministrit. Nga ky subjekt thonë se pasi të pranojnë ftesën dhe të shohin agjendën, do të përgjigjen për veprimin e tyre.

Nga Qeveria thonë se takimi që pritet të mbahet të hënën në Kuvend ka për qëllim diskutimin për ardhmërinë evropiane të vendit, por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

Thirrja e kryeministrit erdhi në ditën kur kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami njoftoi për thirrjen e Tryezës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button